‘Dy deputetë votuan përmes telefonit’, sërish përplasje për rekomandimin e Rekës për konsull në Nju Jork

29 korrik 2022 | 16:42

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka kritikuar partinë në pushtet duke thënë se e kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme rekomandimin e Blerim Rekës për konsull të përgjithshëm në Nju Jork.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kadrijaj ka thënë se rekomandimi është bërë pa prezencën e dy deputetëve në sallën ku është mbajtur komisioni.

“E kam ngritur një çështje dhe një shqetësim për zgjedhjen e konsullit të përgjithshëm në Nju Jork. Me mosprezencën e deputetëve në sallën ku është mbajtur mbledhja e komisionit dhe unë pres një reflektim se ai vendim duhet të bjerë poshtë dhe të thirret mbledhja tjetër e komisionit sepse prej shtëpisë nuk mundet askush me dhënë një verdikt”, ka thënë Kadrijaj.

Për këtë është përgjigjur kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, sipas së cilit çdo gjë është bërë sipas praktikave të funksionimit të komisionit.

“Në komision sipas praktikes së komisionit, shefi i misionit në Nju Jork është intervistuar në prani të deputetëve të pozitës dhe opozitës, me një përjashtim të zonjës Adelina Grainca e cila ka lindur dy binjak, dhe ka qenë e pamundur të jetë fizikisht prezent në takim por është paraqitur nëpërmjet lidhjes ‘online’ e cila po ashtu ka votuar për shefin e misionit dhe kjo e gjitha është rakorduar sipas praktikave të funksionimit të komisionit. Konsideroj që do të ishte mirë që zonja Kadrijaj të mbetej pjesë e komisionit po ajo me vullnetin e saj e ka lëshuar takimin atë ditë dhe nuk ka qenë pjese komisionit. Rrjedhimisht sulmi mbi punën e komisionit atë ditë është i paqëndrueshëm dhe nuk ka asnjë bazë”, ka thënë Abazi.

Pas kësaj, Kadrijaj ka kërkuar sqarim edhe nga kryetari i Kuvendit lidhur me këtë çështje.

“E kam kërkuar prej ju kryetar i komisionit, nuk është në pyetje vetëm Adelina, nuk a lidhje emri i kujt është por dy persona kanë votuar përmes telefonit, a kemi të drejtë, a ka ndonjë rregullore që munden me qenë në shtëpi ose kudo nëpër pushime edhe me i thirr deputetët me telefon me thënë a e konfirmon votën. Po kërkoj një interpretim prej juve kryetar i Kuvendit. A keni një mendim si Kryesi e Kuvendit që mundemi të bëjmë kështu? Atëherë po i bëjmë, këto praktika edhe në Kuvend, apo është një praktikë që zotëri Abazi e ka shpikë vet është kundër Rregullores së Kuvendit dhe kundër ligjeve”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milot Rashica do të mbetet në Norwich City, përkundër që…