Shakira rrezikon burgim prej tetë vitesh dhe 23 milionë euro gjobë

29 korrik 2022 | 23:28

Një prokuror spanjoll ka kërkuar dënim me tetë vjet burgim për superyllin kolumbian, Shakira, për një rast mashtrimi fiskal prej 14.5 milionë eurosh.

Shakira akuzohet se nuk ka paguar taksat mes viteve 2012 dhe 2014, periudhë në të cilën Shakira thotë se nuk ka jetuar në Spanjë.

Dokumenti i prokurorit pretendon se Shakira ishte banuese e zakonshme në Spanjë mes viteve 2012 dhe 2014 dhe se në maj të vitit 2012 bleu një shtëpi në Barcelonë që u bë një shtëpi familjare për veten, partnerin e saj, lojtarin Gerard Pique, dhe djalin e tyre të lindur në Spanjë më 2013.

Dokumenti kërkonte një dënim me tetë vjet burgim dhe një gjobë prej më shumë se 23 milionë euro nëse ajo shpallet fajtore. Asnjë datë për gjykim nuk është caktuar.

Ajo në fillim të kësaj jave refuzoi një ofertë zgjidhjeje nga zyra e prokurorit për mbylljen e çështjes, kushtet e të cilës nuk janë bërë të ditura.

Përfaqësuesit e Shakiras thanë se këngëtarja ishte plotësisht e sigurt në pafajësinë e saj dhe se ajo e konsideronte rastin një shkelje totale të të drejtave të saj, raporton Guardian.

Këngëtarja 45-vjeçare tha se i ka paguar autoriteteve tatimore 17.2 milionë euro, të cilat zyra e taksave spanjolle tha se i kishte borxh dhe pretendoi se nuk kishte borxh të papaguar.

Zhvillimi i fundit në këtë rast vjen një muaj pasi Shakira dhe bashkëshorti i saj, Pique, njoftuan se po ndaheshin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet e naftës u rritën më shumë se 4 dollarë…