Policia e Kosovës së shpejti do të pajiset me kamera të trupit
Policia e Kosovës pritet të blejë kamera, të cilat pjesëtarët e saj do t’i mbajnë në trup, mbi uniformë.
Për këtë qëllim, Policia ka ndarë 18,480 euro.
Kjo u bë e ditur sot nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik “e-prokurimi”.
Për këtë aktivitet të prokurimit përdoret procedurë e hapur e prokurimi me kriter për dhënie të kontratës – çmimi më i ulët.
Nëpërmjet këtij tenderi, Policia e Kosovës pritet të furnizohet me 30 copë kamera të trupit dhe 40 copë SD CARD.
Data 24 gusht 2022 është caktuar edhe afati deri kur mund të ofertojnë kompanitë e interesuara për këtë aktivitet të prokurimit.
Sipas Policisë së Kosovës, pajisja me kamera në trup është në përputhje me prioritetet e Qeverisë, dokumentet e saj strategjike dhe planet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) si dhe rekomandimet e partnerëve strategjikë, si objektivë strategjike ka përcaktuar standardizimin e infrastrukturës fizike, teknike dhe i teknologjisë informative.
Për ta zbatuar këtë plan, Policia ka thënë se është “formuar grupi punues, në përbërje me profesionist të fushave përkatëse, janë zhvilluar konsultime paraprake, me institucione shtetërore dhe institucione të pavarura, janë pranuar dhe inkorporuar në dokument rekomandimet e tyre”.
”Grupi punues ka hartuar aktin nënligjor për vendosjen e kamerës në trup të zyrtarit policor; procesi është në vazhdim e sipër për sigurimin e urdhëresës së parë të kamerave trupore për policë, të cilat vijnë si donacion nga ShBA-të”.
PK-ja ka vlerësuar se kamerat janë të nevojshme pasi ato janë treguar të dobishme dhe si prova të besueshme edhe në gjykata si një mjet kundër korrupsionit.