Kuvendi miraton rezolutën për liberalizimin e vizave

03 gusht 2022 | 14:58

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar të mërkurën rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i AAK-së për liberalizimin e vizave.

Në favor të kësaj rezolute kanë votuar 65 deputetë. Kjo rezolutë është përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare.

Me anë të kësaj rezolute është bërë thirrje që të liberalizohen vizat nga ana e Bashkimit Evropian (BE) si dhe është marrë zotimi për shtyrjen përpara të reformave në të gjitha fushat.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë debatit parlamentar ka deklaruar se përmes kësaj rezolute, deputetët do të shtyjnë përpara reformat për shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsionit e zbatim të ligjeve.

Po ashtu, Tahiri ka theksuar se qeveria duhet të punojë në avancimin e platformës shtetërore, varësisht zhvillimeve të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se kjo rezolutë është e nevojshme dhe kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

“Është momenti vendimtar kur Kuvendi i Kosovës në pajtim të plot me detyrimet kushtetuese, paraqes këtë rezolutë për të shprehur qëndrimet si më poshtë: Deputetët e Kuvendit zotohen se do t’i shtyjmë përpara të gjitha reformat që garantojnë shtetin e së drejtës, nismat kundër korrupsion, projektet për punësim dhe zhvillim, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, garancinë për institucionet e pavarura, mbikëqyrjen e rreptë të qeverisjes në raport me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe garantimin e çdo standardi evropian mbi të dhënat personale dhe gjendjes civiles, kontrollin e trafikimit me qenie njerëzore dhe luftimin e pakompromis të të gjitha formave të trafiqeve me narkotikë”, ka thënë ai.

Përmes kësaj rezolute, Tahiri ka thënë se të gjitha subjektet politike zotohen dhe angazhohen në sigurimin e garancive që institucionet ligjzbatuese i kanë dhënë shteteve anëtare të BE-së në raport me sigurimin e lëvizjes së lirë. “U bëjmë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës, si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE. Ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes. Kuvendi fton Këshillin Evropian të marrë vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shengen për qytetarët e Kosovës. Qeveria e vendit të punojë në avancimin e platformës shtetërore, politike, ekonomike kundruall zhvillimeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, përfshirë refuzimin eventual të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdimin e status quo-s dhe të gjithashtu pozicionimit të Republikës së Kosovës pas këtyre zhvillimeve. Platforma duhet t’i prezantohet kuvendit për miratim”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga ekzekutivi përfshirjen e ekspertëve për të ndihmuar në këtë platformë.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më afër heqjes së vizave.  “Po harrojmë ta përmendim, kurrë Kosova s’ka qenë më afër heqjes së vizave sesa që jemi sot. Kurrë s’është punuar më shumë, asnjëherë nuk janë shënuar rezultate pozitive, s’duam ta mashtrojmë popullin. S’kemi dhënë muaj e data, por po punojmë fuqishëm që ky proces një herë e mirë të marrë epilog. Të bashkohemi sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita si opozita. Rruga jonë drejt BE-së është një angazhim i kahershëm pa dallim. Në rrugën drejt BE-së duhet të jemi të bashkuar, le të provojmë ta ruajmë frymën e mirë dhe bashkëpunuese në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë”, ka thënë ajo.

Kurse deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se Kosova i ka plotësuar qysh moti kriteret për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se rrethanat që janë krijuar brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit kanë ndikuar në mosliberalizimin e vizave. “Në këtë kontekst është i papranueshëm paralajmërimi i komisionarit evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili të hënën e 27 qershorit kishte folur për një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Sigurisht ka qenë një tendencë për kthim mbrapa. Në emër të grupit parlamentar të PDK-së dua të them se Kosova i ka plotësuar të gjitha ato kritere që do të mundësonin liberalizimin e vizave”, ka thënë Reçica, duke theksuar se plotësimin e kritereve për heqjen e vizave e ka konfirmuar Komisioni Evropian qysh në korrik të vitit 2018.

Më tutje, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se nuk mund të fajësohet vetëm Bashkimi Evropian (BE) për mosliberalizimin e vizave për Kosovën, por edhe disa figura politike, të cilave nuk ua ka përmendur emrin, por sipas tij sot janë në krye të shtetit.

“Shprehim shqetësimet tonë për mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, çështje kjo e cila e ka edhe shkakun, apo edhe e bëjnë disa faktorë, qoftë pozitiv, qoftë negativ. Në këtë padrejtësi të madh ndaj qytetarëve që po mbahen të izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, s’mund të fajësojmë vetëm BE-në sepse është e ditur edhe këtu edhe botërisht që ne kishim një mundësi të artë në vitin 2015-16 kur Kosova ishte në një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por të gjithë e dinë që kjo u pamundësua nga disa figura politike që sot janë në krye të shtetit”, ka thënë Zemaj.

Ai ka përmendur edhe protestat e dhunshme, hedhjen e koktej molotovëve ndaj institucioneve të vendit, si shkak i mosliberalizimit të vizave.

“Edhe me disa zyrtarë tjerë në pengesën që iu bë ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, besa u shfrytëzuan edhe format tjera të quajtura mjete politike, nga gazi lotsjellës, dhuna e shprehur në kuvend, me hedhjen e gjësendeve të ndryshme edhe jashtë saj, protesta të dhunshme dhe hedhjen e koktej molotovëve ndaj institucioneve të vendit”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se  Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
104 euro i duhen një familjeje mesatare në vend për…