Sveçla për sulmet në veri: Grupet ilegale serbe po përpiqen të pengojnë punën tonë

06 gusht 2022 | 17:03

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet ilegale serbe janë duke bërë përpjekje për të penguar punën e autoriteteve të Kosovës.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar sulmin e së shtunës ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sipas Policisë, njësiti për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, por nuk ka të plagosur.

Sveçla ka thënë se Policia ka qenë duke kryer kontrollin rutinor në këtë liqen.

“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar, ose për t’i vrarë ata”, ka thënë Sveçla në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë.

Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policor për t’i penguar ose për t’i vrarë ata.

Ne mbesim të angazhuar me të gjitha kapacitetet tona që t’i kryejmë detyrat tona që na obligon ligji e Kushtetuta jonë. Për asnjë kusht nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë, pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se dialogu mes…