Kurti takon përfaqësuesit e FSShK-së, diskutojnë për përmirësimin e pozicionit të punonjësve shëndetësorë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ku kanë biseduar për bashkëpunim në përmirësimin e pozicionit të punonjësve shëndetësorë përmes dialogut social.
Në takimin e përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe Zëvendësministren Dafina Gexha Bunjaku, u theksua përkrahja dhe gatishmëria e Qeverisë për thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit me FSShK-në, njofton Klankosova.tv.
Përfaqësuesit e FSShK-së e njoftuan Kryeministrin me sfidat të cilat përballen profesionistët shëndetësorë në punën e përditshme.
Në një kumtesë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në këtë takim u dakorduan që komunikimi do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim të ngritjes së nivelit të shërbimeve shëndetësore dhe sigurimit të punës me dinjitet për profesionistët shëndetësorë.