Kancelari gjerman: Putini e filloi luftën për arsye ‘plotësisht absurde’

22 gusht 2022 | 12:08

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se e nisi sulmin ndaj Ukrainës për arsye “krejtësisht absurde”.

“NATO-ja nuk ka qenë kurrë kërcënim për Rusinë”, ka thënë ai të dielën në Berlin gjatë një dialogu publik me rastin e ditës së dyerve të hapura të qeverisë federale, shkruan “Deutsche Welle”.

Për vite me radhë, Moska e ka akuzuar NATO-n për rritjen e zgjerimit të saj drejt lindjes në dëm të interesave të Rusisë.

Sipas Scholzit, në bisedimet përpara se të niste lufta në shkurt, ai e ka siguruar Putinin se Ukraina nuk do të anëtarësohej në NATO “në 30 vitet e ardhshme”. Megjithatë, Putini kishte ide “plotësisht absurde”, ka thënë Scholzi. Presidenti rus i kishte thënë, për shembull, se Bjellorusia dhe Ukraina nuk duhet të jenë shtete të pavarura.

Olaf Scholzi është i sigurt se Vladimir Putini e kishte planifikuar këtë luftë shumë kohë përpara se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt. “Është një luftë që Putini, Rusia, e filloi, qartësisht me qëllimin për të pushtuar vendin fqinj. Unë mendoj se ky ishte qëllimi fillestar”, ka thënë Scholzi, derisa krahasonte veprimet e Rusisë në ditët e para të imperializmit.

Rusia aktualisht është e preokupuar me fitimin e territorit në Ukrainën lindore, por nuk është e sigurt se do të mbetet kështu, tha kancelari, dhe për këtë arsye dorëzimi nuk është një strategji e arsyeshme. “Putini në fakt pati idenë që të rrëshqiste një laps kimik mbi peizazhin evropian për të thënë më pas: “Kjo është e imja dhe kjo është e jotja”, ka thënë Scholzi, duke shtuar se Gjermania nuk mund ta pranojë këtë.

Scholzi mbron dërgesat e armëve në Ukrainë

Në përgjigje të ish-gjeneralit të Bundeswehr-it, Klaus Wittmann, i cili e ka pyetur pse Gjermania nuk e furnizonte Ukrainën me transportues të blinduar, Scholzi ka renditur dërgesat e armëve të llojeve të tjera që tashmë kanë ndodhur dhe që janë ende të planifikuara.

“Gjermania po furnizon me shumë armë” dhe “ndërkohë po furnizon pajisjet më moderne dhe më efikase”, ka thënë Scholzi. Por e gjitha sipas tij ka të bëjë edhe me “sigurinë që të mos ketë përshkallëzim të luftës”.

Scholz u është referuar dërgesave të tankeve anti-ajrore “Gepard”, obusëve të blinduar 2 000 dhe raketave të shumta, dërgesave të planifikuara të sistemit të mbrojtjes ajrore “Iris-T” dhe radarit të artilerisë “Cobra”.

“Ata do të mbërrijnë së shpejti” ka siguruar ai. Gjermania do të vazhdojë t’i japë Ukrainës “atë që i nevojitet për mbrojtjen e saj”, ka thënë kancelari gjerman.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…