Ambasada ruse në Tiranë reagon për sulmin ndaj ushtarëve shqiptarë në Gramsh

22 gusht 2022 | 15:33

Ambasada e Rusisë në Shqipëri  ka reaguar për incidentin që ndodhi në Gramsh dy ditë më parë.

Ambasada ka sqaruar se nuk ka marrë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim.

Sipas trupës diplomatike ruse në Tiranë, i është dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për t’i vënë në dijeni për detajet e ngjarjes.

“Misioni diplomatik informohet për incidentin e ndodhur vetëm nga mediat”, është thënë në reagimin e ambasadës ruse.

Ambasada ruse ka nënvizuar se i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procedurale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të degës konsullore të ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar.

Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me sprej neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.

Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë “blogurë” dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit e zhvillon ndeshjen kthyese të enjten ndaj…