Osmani pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm

24 gusht 2022 | 17:31

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Këtë qëndrim ajo e ka publikuar në llogarinë e vet në “Facebook” pas takimit me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Në takimin me të dërguarit e posaçëm Lajçak dhe Escobar shpreha përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka potencuar se Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione, dhe se është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet, si dhe për zgjidhje evropiane.

“Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, përfundoi e para e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
26.08.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë Nga…