Limaj bën homazhe në Ditën e Dëshmorëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i shoqëruar nga kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe bashkëpunëtorë ka bërë sot homazhe në Kleçkë, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 121 Ismet Jashari – Kumanova.
“Kjo datë më vlerë është vendtakim i të gjallëve me shokët që kanë rënë dhe familjarët e tyre për të kujtuar veprën e tyre, krenarinë e sakrificën që kanë bërë ushtarët e kësaj brigade”, ka thënë Limaj.
Po ashtu, ai tha se, këto shenja të lirisë, ky përkujtim na përkujton se sa shumë sakrificë është bërë për lirinë të cilën e gëzojmë sot.
Kryetari Limaj, po ashtu, ka thënë se, 25 gushti është përmbledhje e gjithë asaj trimërie, sakrifice, lavdie e dhimbje që kanë përjetuar malet e Berishës nën këtë brigadë gjatë luftës së UÇK-së.
“Në këtë ditë, komandant Kumanova ka dhënë jetën për lirië e Kosovës, dhe kjo është datë e shënuar për të gjithë dëshmorët e Brigadës 121, pavarësisht datës se kur kanë rënë bashkëluftëtarët tjerë. Lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 Ismet Jashari- Kumanova dhe gjithë dëshmorëve të kombit, ka thënë në fund të deklaratës së tij”, ka thënë Limaj.