Shkarkohet shefi i policisë në Teksas

25 gusht 2022 | 11:49

Shefi i policisë së qarkut të qytetit Uvalde të Teksasit është shkarkuar për mënyrën se si ka menaxhuar ngjarjen ku kanë mbetur të vrarë 19 fëmijë dhe dy mësues tre muaj më parë.

Bordi i Arsimit të distriktit ka votuar unanimisht për shkarkimin e Pete Arredondos, një vendim që është pritur me duartrokitje nga familjarët e viktimave që ishin të pranishëm.

Ai ishte përballur me kritika të ashpra pas vrasjes masive të 24 majit në shkollën fillore Robb të Uvaldes. Oficerët e armatosur kanë pritur në korridorin e shkollës për më shumë se një orë pa ndërhyrë, ndërsa atentatori vazhdonte të vriste nxënësit me armë zjarri.

Arredondo është përpjekur të mbrojë veprimet e tij, duke i thënë një komisioni të Legjislaturës së Teksasit se nuk e konsideronte veten personin përgjegjës për të marrë vendime gjatë incidentit në vendngjarje.

Prindërit e fëmijëve të vrarë dhe të plagosur nga të shtënat më vdekjeprurëse në shkollat amerikane në gati një dekadë, kishin kërkuar nga bordi i shkollës shkarkimin e Arredondos.

Ai është detyruar të jepte dorëheqjen nga vendi i tij në Këshillin Bashkiak të Uvaldes më 2 korrik. Tri javë më vonë, bordi kishte planifikuar të vendoste për fatin e Arredondo-s si shef i policisë së qarkut shkollor, por e shtyu takimin për shkak të “kërkesave të procesit” me kërkesë të avokatit të tij.

Sipas Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit 19 oficerë kishin pritur për më shumë se një orë në një korridor jashtë klasave fqinje, ku personi i armatosur ishte izoluar me viktimat e tij, përpara se një ekip taktik i udhëhequr nga Patrulla Kufitare e ShBA-së më në fund të hynte dhe të vriste të dyshuarin.

Arredondo, kanë thënë ata, kishte zgjedhur të mos dërgonte oficerë për t’u përballur menjëherë me të dyshuarin, duke besuar se kërcënimi i menjëhershëm ndaj studentëve ishte neutralizuar pas të shtënave fillestare me armë zjarri në klasat e shkollës.

Arredondo, i cili mbikëqyrte një forcë policie prej gjashtë anëtarësh përpara se të pushohej nga puna, ka thënë se ai kurrë nuk e konsideronte veten komandant në incidentin në fjalë dhe se ai nuk e urdhëroi policinë të ndalonte sulmin ndaj pozicionit të të dyshuarit. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artisti i njohur turk, Ibrahim Tatlises ka pësuar një aksident…