Grevat rikthehen, qeveria i kërcënon grevistët për mosdhënie të pagës

25 gusht 2022 | 17:18

Greva për rritje page e punëtorëve në sektorin publik e nisur të enjten ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës. Ministria e Financave ka bërë me dije se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) nëpërmjet një komunikate për medie thotë se kërcënimet e bëra nga përfaqësues të qeverisë për grevistët janë shkelje të të drejtave të njeriut. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u kanë dhënë përkrahje grevistëve

Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga dita e enjte kanë hyrë në grevë. Por, nga qeveria thonë se nuk është koha për greva, pasi është hartuar Projektligji për Paga.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e 100 eurove për punëtorët derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Paga.

Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës gjatë ditës së enjte ka bërë disa vizita te punëtorët të cilët tashmë kanë nisur grevën. Fillimisht Këshilli ka vizituar edukatoret në një kopsht publik në Prishtinë, si dhe punëtorët në komunën e Prishtinës. Këshilli grevist ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta fillojë realizimin e kërkesave të tyre.

Mediet e kanë siguruar një dokument i cili u ka shkuar grevistëve nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, në të cilin thuhet se të gjithë ata që i janë bashkuar kësaj greve duhet të pezullohen nga paga.

Sekretari i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, i tha “Radios Evropa e Lirë” se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë. Spahiu theksoi se grevistëve ua kanë garantuar të drejtën e grevës por, siç ka thënë ai, i kanë njoftuar që duhen zbatuar edhe dispozita ligjore që, sipas tij, kërkojnë pezullimin e obligimeve të kontratës së punës.

Në Ligjin për Greva të Kosovës thuhet se “organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizatë të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale”.

Neni 18 i Ligjit për Greva thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar. Por, sipas Ligjit për Greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme është i kundërligjshëm.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për medie ka theksuar se tashmë janë në grevë të përgjithshme dhe kjo ka ardhur pa dëshirën e tyre, por janë detyruar nga premtimet dhe zvarritjet për përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme.

“Nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë. Partnerja jonë sociale – qeveria – po i kërcënon grevistët. Kjo është antiligjore, se shkelet Ligji për Greva, Ligji nr. 03/L-200, nenet 11, 13 dhe 18, mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë. T’i kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe, mbi të gjitha, marrje e së drejtës për grevë. Me fjalë të tjera, është gabim shumë i madh. Partnerja jonë sociale – qeveria – duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut të sinqertë prej nga duhet të dalim me zgjidhjen e duhur. Zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”, është thënë në reagimin e BSPK-së.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) nëpërmjet një komunikate për medie thotë se kërcënimet e bëra nga përfaqësues të qeverisë për grevistët janë shkelje e të drejtave të njeriut. “Organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohet me ligj. KMDLNj-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës t’i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat”, thuhet në reagimin e KMLDNj-së.

Për 100 euro shtesë deri në miratimin e legjislacionit për pagat, por edhe për kërkesa të tjera, sindikalistët kanë protestuar më 8 prill të këtij viti. Në muajin maj disa institucione publike, siç janë ato të arsimit, administrata publike, energjetika, dogana, kanë mbajtur grevë njëorëshe.

Qeveria e Kosovës, disa ditë më vonë, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, ka vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë për muajin prill për disa kategori të shoqërisë, përfshirë punëtorët në sektorin publik dhe privat. Por, këto mjete, sipas sindikatave të punëtorëve, kanë qenë të pamjaftueshme për ta zbutur gjendjen e rënduar ekonomike të punëtorëve nga rritja e çmimeve të konsumit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë. “Jo më shumë, 100 euro modeste, që të përballemi më lehtë me çmimet që po rriten çdo ditë”, thotë Rrahman Jasharaj nga këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Sipas Jasharajt, përfaqësuesit e këshillit grevist të secilës sindikatë do të vendosin për mënyrën e organizimit të grevës.
Në arsim, aty ku Jasharaj është kryetar i sindikatës, thotë se të gjithë të punësuarit – mësimdhënësit dhe edukatoret e kopshteve – do të dalin në punë nga ora 09:00 deri në 12:00, por nuk do të punojnë.

“Mësim nuk do të ketë derisa nuk mbyllet greva. Greva mbyllet vetëm atëherë kur realizohen kërkesat”, thotë Jasharaj. Ai shton se grevën e kanë përkrahur edhe policët e zjarrfikësit, por në bazë të Ligjit për Greva ata nuk kanë të drejtë ta organizojnë atë.

Por, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas procedimit të Projektligjit për Paga, “greva e sindikatave ka humbur kuptimin”.

Në një konferencë për medie në Prishtinë më 24 gusht, Kurti tha se është informuar me kërkesat e punëtorëve. “Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Projektligji për Paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për grevë. Është koha për punë. Është koha që sindikatat t’i bëjnë komentet e tyre për Projektligjin për Paga”, tha Kurti.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se dialogu social midis qeverisë dhe sindikatave është i nevojshëm që të shmanget paralizimi i institucioneve.

Gersi Gashi, drejtor i hulumtimeve dhe zhvillimeve në Qendrën për Politika dhe Avokim në Prishtinë, thotë se paralajmërimi për grevë i shumë sindikatave të punëtorëve është shqetësues, pasi mund të paralizohet një pjesë e madhe e shërbimeve. Ai thotë se ekzekutivi dhe sindikatat duhet të bisedojnë për të gjetur zgjidhje për këtë situatë.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja i përkrahin grevistët

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, do t’ua ndërpresë pagat punëtorëve që i janë bashkuar grevës të nisur sot nga Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK).

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në “Facebook” ka thënë se kur jemi te grevat, Vetëvendosja sa ishte në opozitë i mbështeste ato.

“Sot në pushtet vendimet e kësaj qeverie ndaj grevistëve janë skandaloze dhe nuk i ngjajnë aspak një shteti demokratik. Vetëm ish-sistemet kanë penguar kërkesat e punëtorëve për mirëqenie më të lartë, pagë optimale e siguri në punë. Greva është e drejtë e garantuar me ligj”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia në pushtet, qeveria dhe Kurti duhet të gjejnë zgjidhje e jo të konfrontohen me grevistë.

Në “Facebook” ajo ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosje dikur, përkrahëse e secilës grevë në sektor publik e privat, duhet të gjejë zgjidhje të shpejtë për grevën e nisur sot sepse dëmi nga zgjatja e grevës mund të jetë e parikuperueshme. “Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistët, ta nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës. Vetëvendosja ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar”, ka thënë Bajrami. Sipas saj, në vend të zgjidhjeve, qeveria ka zgjedhur konfrontimin me sindikatat si rrugë e vetme, e cila, sipas deputetes Bajrami, është rrugë e gabuar pasi që pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet e kryeministri Kurti.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti ka një vit e gjysmë që tallet me punëtorët. “Kryeministër, mos e kërko fajin te punëtorët, por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedh ata. Punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë, sepse kriza ekonomike e sociale u ka mbërritur në asht. Ju kryejeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur. Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2 %. Çdo formulë tjetër do t’ju kthehet në bumerang. Është sosur durimi”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka reaguar lidhur me kërkesën…