![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/08/H-Albin-Kurti-136-scaled-1.jpg)
Kurti për marrëveshjen me Serbinë: Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda
Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, ka bërë me dije shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Kryeministrit Albin Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka folur për arritjen e marrëveshjes.
Ai ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.
“Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.
“Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë. Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin”, ka shkruar Kurti.