Suedia me ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

29 gusht 2022 | 12:07

Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, ka bërë me dije se Suedia do të ofrojë një pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, me qëllim që shteti të mbrojë veten nga pushtimi i Rusisë.

Paketa e re e ndihmës do të jetë në vlerë prej 500 milionë krunash apo 46.75 milionë dollarësh.

Andersson, pasi është takuar me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë për gazetarët se qeveria e saj do të ofrojë edhe një paketë të ndihmës prej 1 miliard krunash. Kjo do të jetë ndihmë ushtarake dhe civile për Ukrainën.

Ndërsa ministri Kuleba ka thënë se Suedia do t’i ofrojë shtetit të tij armë sikurse obusë dhe granata.

“Për aq kohë sa lufta vazhdon, ne do të kërkojmë më shumë armë. Çdo euro, çdo plumb, çdo granatë është e rëndësishme”, ka thënë Kuleba.

Më tutje, kryeministrja suedeze nuk ka dhënë detaje për paketën ushtarake, por ka thënë se do të jetë e ngjashme me ndihmën e mëparshme, që ka përfshirë armë kundërtanke, pajisje për mbrojtjen e ushtarëve dhe pajisje për pastrimin e minave.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa lufta vazhdon”, ka thënë Anderssoni.

Në pjesën e ndihmës civile përfshihet edhe blerja e grurit ukrainas, që më pas do t’iu dërgohet shteteve që po përballen me mungesë të ushqimeve. Kjo, sipas Suedisë, bëhet për të mbështetur ekonominë ukrainase.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shtetet perëndimore kanë ofruar ndihmë ushtarake dhe civile për Kievin. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i “Forca e Diasporës”, dega në Prishtinë, Lirim Gashi…