Dhunimi i 11-vjeçares, reagon presidentja Osmani: Akt çnjerëzor dhe tronditës

29 gusht 2022 | 16:25

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë nga dy persona.

Osmani ka thënë se ky është një akt tronditës dhe çnjerëzor, duke kërkuar përgjegjësi para ligjit për personat e involvuar në këtë rast.

“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët. Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Osmanit:

Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.

Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.

Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj.

E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha po ashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.

Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë me…