Rrëfimi i Elzës, sfidat në shkollim dhe ëndrra për një vend pune

30 gusht 2022 | 10:16

Çdo ditë vjen këtu, e shoqëruara nga nëna.

E mikpritja nuk i mungon asnjëherë.

Hapi i parë është fillimi i ushtrimeve, që e nisë ditën me to.

Por, atë e brengosë diçka, për të cilën e ka një kërkesë.

 “Unë çdo ditë vijë këtu i kryej shërbimet, e kryej fizioterapinë dhe bëjmë edhe terapi në grup dhe shumë aktivitete. Nevoja ime më e madhe është për një asistent për të më ndihmuar”, ka thënë Elza Bojku, person me aftësi të kufizuara.

Në rrëfimin e saj, Elza Bojku nga Peja tregon për sfidat e shumta me të cilat përmallen personat me aftësi të kufizuara.

Mbi të gjitha, ajo ka një ëndërr që e mban me shpresë se do të ndodh.

“Unë kam përfunduar gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, kam pasur shumë dëshirë me studiu në Psikologji, sepse qysh e vogël mu ka dukur se i kuptoj njerëzit dhe mund të ju ndihmojë, por nuk kam pasur mundësi me shku në fakultet për arsye se gjithmonë kam pasur nevojë për një përcjellës sepse kam pak probleme me stabilitetin dhe këmbë dhe kam mbetur pa shku në fakultet, por e kam ëndërr me shku, me kry një fakultet me gjet një punë dhe me u bë e zoja për vete”, tha tutje ajo.

Punësimi iu mohua deri tani anipse kishte aplikuar për vende pune disa herë.

 “Ka pasur raste kur unë kam aplikuar diku, por ata pas disa minutave ma kanë kthyer përgjigjen që s’ka qenë fort adekuate. Përgjigja ka qenë që na nuk kemi informacion dhe sado që unë kam kërkuar ata persona nuk më kanë dhënë informacione të duhura për atë punë”, ka thënë Elza Bojku.

Ajo kërkon që personat me aftësi të kufizuara të trajtohen barabartë nga të gjithë dhe të mos ketë dallime.

 “Personat me nevoja të veçanta kanë shumë vështirësi, por problemi është te qasja e njerëzve tjerë dhe mungon edhe infrastruktura e duhur”, tha ajo.

Se punësimi është brengë e saj e thotë edhe drejtori i Hendikosit në Pejë, Egzon Qorkadiu.

 “Elza e ka të kryer kursin e kompjuterëve dhe ka shumë trajnime. Punësimi është brengë e saj, është shumë brengë. Ka aplikuar në dy-tri vende”, ka thënë Qorkadiu.

Në regjionin e Pejës janë vetëm 18 persona me aftësi të kufizuara të cilët janë të punësuar.

 “Edhepse ekziston ligji që çdo i 50-ti person me qenë i punësuar si në institucione publike apo private, ky numër prap neglizhohet, edhepse mundet një numër i vogël të punësohet sa për ta mbërri kuotën, por prap se prap nuk ka vende të reja apo grante të reja që këtyre me u mundësuar vende të punës”, tha ai.

Në zyrën për punësim në Pejë thonë se numri i personave me aftësi të kufizuara dhe grave që janë të regjistruar në këtë zyrë është më i vogël.

 “Në zyrën tonë me kërkesën për regjistrim për punësim numri ka qenë mjaft i madh, diku afër 1 mijë e 200 persona në vit, afër 700-800 meshkuj dhe 400-500 femra.  Mosha e tyre, diku 80 për qind janë moshë e re, moshat e vjetra kryesisht vijnë për social ose për kryerje të ndonjë praktike. Interesimi i grave dhe personave me aftësi të kufizuara është më i vogël, se sa i personave tjerë”, tha Sadri Krasniqi, Udhëheqës i Zyrës për Punësim në Pejë.

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në botë. (grafika)

Në Kosovë, sipas OBSH-së, jetojnë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.(grafika)

Me ligjin në Kosovë, sektori publik dhe ai privat janë të obliguar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë. (grafika)

Sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh – me më shumë se 220 mijë të punësuar – por edhe aty, kuota e punësimit të personave me aftësi të kufizuara është larg përmbushjes.

Elza është një vajzë e re në mesin e 324 të rinjve që përfituan nga shumë trajnime dhe programe aftësimi që u zhvilluan në kuadër të projektit dhe tani ajo ndjehet e gatshme të kontribuoj aktivisht në treg të punës, ashtu siç ndjehen edhe 23 personat tjerë me aftësi të kufizuar që u trajnuan dhe u aftësuan për punë dhe shpresojnë që një ditë do të mund të integrohen në treg të punës në mënyrë të barabartë dhe pa qenë të diskriminuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lajmin e ka bërë me dije klubi anglez nëpërmjet një…