Kurti fton qytetarët të flasin nëse kanë informacione për të zhdukurit

30 gusht 2022 | 11:14

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti bashkë me anëtarët e tjerë të qeverisë kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur.

I pranishëm në këto homazhe ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se bashkë me presidenten Osmani dhe me familjarët e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë nga lufta në Kosovë, me kolegë institucionalë dhe partnerë e miq ndërkombëtarë kanë bërë homazhe tek të zhdukurit me dhunë.

“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1 mijë e 600 të pagjeturve dhe bashkë më ndërkombëtarë të bëjmë trysni që në Beograd të hapen arkivat dhe të dihet fati i më të dashurve tanë. Dhe Prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive e gjyqësori shumë më efikas, pasi deri tek e vërteta arrihet edhe përmes gjyqësisë, duke kërkuar drejtësi për ata që i vranë, i varrosën e zhvarrosën e i dërguan në Serbi. 950 shqiptarë janë zhvarrosur nga Batajnica, Rudnica e të tjera, këto janë ato varrezat e mëdha prej ku u zhvarrosën njerëzit, e me siguri që ka edhe të tjera”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se në mesin e 1 617 të zhdukur me dhunë ka edhe që nuk janë shqiptarë, por ne jemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie.

“ I ftoj qytetarët të cilët dinë apo kanë informacion që ta bëjnë të ditur, besoj se përpos hapjes së arkivave duhet të flasin se çka dinë, ata në Serbi dhe jo vetëm për të gjitha informacionet që mund t’i kenë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, bashkë…