Rafuna kërkon nga Greqia lehtësim për pajisje me viza për bizneset e Kosovës

30 gusht 2022 | 12:17

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur në takim shefen e zyrës ndërlidhëse të Greqisë, ambasadoren Heleni Vakali, si dhe konsullin në këtë zyrë, Michail Verttakis, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, me theks të veçantë në mundësitë për të thelluar këtë bashkëpunim dhe krijimin e lehtësirave për afaristët e Kosovës.

Rafuna u shpreh se Greqia është partner i rëndësishëm i Kosovës dhe se ekonomitë e të dyja vendeve duhet të thellojnë edhe më tutje bashkëpunimin në mes tyre.

“Kosova dhe Greqia tanimë kanë vënë themelet e një bashkëpunimin ekonomik të mirë në mes vete dhe nga kjo kanë përfituar të dyja vendet. Tani duhet të punohet që ky bashkëpunim të thellohet, në sektorët ku ka bashkëpunim, por edhe të zgjerohet në më shumë sektorë të ri”, u shpreh Rafuna, duke shprehur falënderim për zotimin e zyrës ndërlidhëse greke që të aplikojë lehtësira për pajisjen me viza të bizneseve që janë anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës.

“Vizat janë ndër pengesat kryesore të bizneseve të Kosovës. Çdo lehtësi për t’u pajisur me viza për biznes për anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës është përkrahje për ekonominë kosovare në përgjithësi”, u shpreh Rafuna.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka propozuar edhe mbajtjen e takimeve B2B ndërmjet bizneseve të greke dhe atyre kosovare si dhe angazhimin në përpjekjet për eliminim të barrierave ekonomike në mes të dyja vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori Keanu Reeves e bëri ditën e martesës së një…