Jasharaj: Sindikatat s’kanë buxhet për t’i paguar grevistët, do ta padisim ministrin Murati

30 gusht 2022 | 12:39

Kryetari i Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj, ka thënë të martën se nëse Qeveria e Kosovës nuk reflekton ndaj kërkesave të grevistëve, 1 shtatori do t’i gjejë nxënësit në shtëpi dhe mësimdhënësit në grevë.

Jasharaj ka thënë se kanë zhvilluar takime nëpër komuna dhe greva po mbahet në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa deklaratat e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i ka quajtur skandaloze për mësimdhënësit, përkatësisht për fondin sindikal.

Jasharaj i është përgjigjur ministrit Murati, se sindikatat nuk kanë buxhet për t’i paguar grevistët.

“Greva ka rrjedhë të mbarë, dhe greva do të duket edhe më e fuqishme më 1 shtator, kështu 1 shtatori nëse vazhdohet me teket e qeverisë, fatkeqësisht nxënësit do t’i gjejë në shtëpi, mësimdhënësit në grevë, e cila do të vazhdojë gjerë në realizmin e kërkesave tona. Ajo që na shtyri që t’ju ftojmë në konferencë të jashtëzakonshme është deklarata skandaloze (e ministrit Murati) me tendenca që të fusë frikë e të ngufatë zërin sindikal në tërë sektorin publik… Kur doli ministri Murati, të cilin e kemi lutur me muaj të tërë për dialog, deklaroi se paska guxim t’ju mohojë zërin legjitim që është e garantuar me Kushtetutë, ai (Murati), si duket nga krenaria dhe krekosja nuk e ka lexuar Ligjin për greva në Kosovë, dhe askush nuk ka të drejtë, jo me mëditje e me paga, por asnjë cent t’ua ndal grevistëve”, ka thënë Jasharaj.

Në konferencën e jashtëzakonshme për media, Jasharaj ka bërë me dije se po përgatisin padi ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Kemi debatuar me gjakftohtësi deklaratën e djeshme të ministrit Hekuran (Murati), kemi vlerësuar se ai në vend që të jep një shembull të mirë, që të tensionet të ulen dhe të dialogojmë, ai me qëllim apo pa qëllim të nxitë situatën, krijon shqetësime, por edhe irritoi anëtarësinë kudo ku janë. Prandaj, ne do ta kemi reagimin me kohë, ekspertët e fushës së drejtësisë janë në konsultime dhe do të insistojmë që të përgatitet lënda (padia), adresa tani më dihet, lënda do të drejtohet ndaj ministrit Murati”, ka thënë ai.

Jasharaj i është përgjigjur edhe deklaratave të ministrit Murati për fondin mbi 3 milionë euro të sindikatave, duke thënë se SBAShK-u dhe BSPK-ja nuk kanë buxhet për të paguar grevistët.

“Deklarata e ministrit Hekuran (Murati) për të bërë luhatje te anëtarësia jonë ka qenë e kotë e me ata milionat. Ne nuk ia ndalim anëtarësimin askujt në xhepa, janë të shënuara në lista të pagave, në të gjitha nivelet, që nga çerdhet dhe dihen të hyrat tona. Por, Hekurani me qëllim nuk e ka lexuar as ligjin për organizimin sindikal, sepse kuota sindikale është e lejuar dhe obliguar… Po, në pesë vite ka ndodhur kjo, por nga ajo shumë statute na obligon se ato mjete 40 përq ind i kthehen shkollës (shoqatës sindikale), 10 për qind nivelit komunal, të tjerat shkojnë për edukimin internacional (Unionin e sindikatave të Evropës), për BSPK-në, ndonjë herë dërgimin kolegëve tanë në deti, që jemi kritikuar, për trajnime. Dhe kështu e kemi një buxhet, për këtë nuk e kemi mbledh të ndajmë rroga sepse nuk e kemi këtë takat. Mbase ministri Murati që shtetit nëpër Evropë, kanë marrë shembuj nga Evropa ku pagat janë 5-6 mijë euro, me kuotë sindikale mjaft të madhe… Prandaj, ne nuk kemi buxhet për të paguar paga sepse edhe nuk jemi të thirrur”, ka thënë Jasharaj.

Po ashtu, Jasharaj ka apeluar te Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) që të mos bien pre e presioneve për të bërë lista false.

Greva në institucionet publike ka nisur më 25 gusht e që po vazhdon me kërkesën për ndarjen e 100 eurove shtesë deri në miratimin e Ligjit për pagat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësja e Përfaqësues së Kosovës në konkurrencën e femrave, Karin…