Hoti: Kriza institucionale po thellohet

06 korrik 2018 | 12:21

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se është duke u thelluar kriza institucionale.

“Kuvendi është jofunksional pasi të gjitha seancat e hapura në muajt e fundit nuk janë mbyllur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bllokuar nga presidenti. Kryeministri të vetmen punë që bënë është marrja e vendimeve joligjore për të shpërdorur buxhetin e shtetit. Javën që shkoi, kryeministri, ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët e tyre kanë marrë paga retroaktive deri në 15 mijë euro. Gjykatat janë paralizuar për shkak të grevës së stafit administrativ, të cilët me të drejtë kërkojnë pagë më të lartë”, ka thënë Hoti në konferencën e rregullt javore.

Në këtë kontekst, ka përkrahur mjekët, minatorët dhe arsimtarët në kërkesat e tyre.

“Minatorët e ‘Trepçës’ janë në grevë, sepse kryeministri me sejmenët e tij e ka përgatitur statutin që lë jashtë asetet e Trepçës, pa asnjë sqarim. Arsimtarët kanë paralajmëruar grevë. Mjekët me të drejtë kërkojnë paga më të larta. Lista e veteranëve është e pa pastruar, duke shpërdoruar miliona euro në muaj. Vizat nuk ka gjasa të hiqen për shkak të sinjaleve negative që po dërgojmë në Bruksel, përmes aferave korruptive të pandëshkuara”, ka thënë Hoti.

Më tutje, ai ka folur edhe për dialogu me Serbinë, duke thënë se presidenti Hashim Thaçi, pas asnjë autorizim dhe ende pa nisur mirë dialogu me Serbinë, i ka hequr të gjitha vijat e kuqe.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo qasje është e rrezikshme dhe e dëmton pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Presidenti nuk ka kompetenca kushtetuese dhe legjitimitet politik për të udhëhequr dialogun”, ka deklaruar Hoti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Sony” ka bërë një gabim të rëndë javën e kaluar.…