Kryeministri ukrainas në Berlin, kërkon mbështetje ushtarake

04 shtator 2022 | 14:13

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka mbërritur në Berlin më 3 shtator, për bisedime me kancelarin gjerman Olaf Scholz, duke u bërë zyrtari i parë ukrainas i rangut më të lartë që viziton Gjermaninë në disa muaj.

Vizita sinjalizon fundin e tensioneve midis dy vendeve, pasi Kievi ka kritikuar Berlinin në të kaluarën për dhënien e pakët të ndihmës në luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus.

Scholzi ka vizituar Kievin në qershor dhe dërgesat e armëve për vendin janë rritur që atëherë.

“Gjermania ka bërë përparim të madh në mbështetjen e saj të Ukrainës me armë”, ka thënë Shmyhali për mediat gjermane para udhëtimit.

Ai ka thënë  se Kievi ka nevojë për më shumë armë, veçanërisht për “tanke luftarake moderne” si “Leopard 2” i Gjermanisë.

Shymhali ka thënë gjithashtu se vendi i tij ishte i përgatitur të furnizonte Gjermaninë me energji elektrike për të ndihmuar ekonominë më të madhe të Evropës të reduktojë varësinë e saj nga importet ruse të energjisë.

Shmyhali do të takohet gjithashtu me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier më 4 shtator, për të rregulluar tensionet që prej kur Kievi ka refuzuar ofertën e Steinmeier për të udhëtuar në Ukrainë, në muajin prill.

Steinmeieri ka zemëruar Kievin në ditët pas pushtimit rus duke ofruar vetëm 5 000 helmeta. Ai ka mbrojtur më parë qëndrim për politikë të “zbutjes” ndaj Rusisë, por ka pranuar në vazhdën e pushtimit të Moskës se politika ishte gabim.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paris Saint-Germain (PSG) ka njoftuar për shkëputjen e bashkëpunimit me…