Liz Truss merr mandatin e kryeministres nga Mbretëresha

06 shtator 2022 | 15:21

Mbretëresha Elizabeth II ka emëruar të martën Liz Truss kryeministre të Britanisë së Madhe.

Truss ka fituar dje garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.

“Mbretëresha priti sot në audiencë të nderuarën Truss dhe i kërkoi asaj që të formonte administratën e re”, ka thënë Pallati Buckingham në një deklaratë.

Sipas pallatit mbretëror, Trussi ka pranuar ofertën e Mbretëreshës dhe “i puthi duart pas emërimit si kryeministre”.

Trussi zëvendëson Boris Johnson, i cili është detyruar të largohej nga ky post pas tri viteve të trazuara në pushtet.

Johnsoni dhe Trussi kanë udhëtuar për në Skoci për t’u takuar me Mbretëreshën Elizabeth II, ku Johnsoni zyrtarisht ka dorëzuar dorëheqjen dhe Trussi është ftuar që ta formojë qeverinë.

Kryeministrja e re do të përballet me një nga listat më të frikshme të problemeve të çdo lideri të pasluftës në Britani, pasi inflacioni arrin në numër dyshifrorë, kostoja e energjisë është rritur dhe Banka e Anglisë paralajmëron për një recesion të gjatë deri në fund të këtij viti.

Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat tradicionalisht mbahen në Pallatin Bakingam në Londër. Por, monarkistja 96-vjeçare së fundmi është përballur me probleme shëndetësore dhe e zhvilloi këtë takim në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Christophe Galtier është gati të përballet me Juventusin në ndeshjen…