Kreu i ri i Policisë shqiptare merr zyrtarisht detyrën

08 shtator 2022 | 11:24

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mori sot zyrtarisht detyrën.

Gjatë ceremonisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i dorëzoi simbolet dhe flamurin, ndërsa Rrumbullaku dhe i tha se “i vetmi flamur për të cilin duhet të përulemi është flamuri kombëtar”.

“Ju Rrumbullaku do të merrni sot në dorëzim flamurin e organizatës. Unë dua të them që ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, dikë më shumë dikë më pak. Në një moment historie mund të ndryshojnë flamujt që respektohen më shumë dhe më pak, por flamuri i vetëm për të cilin ne përulemi të gjithë dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, përfshi edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe për të cilin besoj se çdo shqiptar i mirë është gati të jap jetën, është flamuri me shqiponjën me dy krena. Dua t’ju them që këtë gjë mos e harroni në asnjë ditë të punës tuaj. Jam i bindur që ju do ta realizoni me nder dhe me sukses këtë rrugëtim tuajin në këtë pozicion kaq shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për Shqipërinë”, u shpreh Çuçi.

Rumbullaku listoi prioritetet e Policisë së Shtetit nën drejtimin e tij, që përfshin riorganizim dhe analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizatës.

“Reformë e thellë ligjore, arsimore, funksionale e strukturore në të gjitha nivelet e organizimit të organizatës së Policisë së Shtetit.

Rialokim i burimeve dhe potencialeve njerëzore, në funksion të formave, tendencave dhe shtrirjes së kriminalitetit, si: riorganizime strukturore vendore dhe qendrore, për të rritur evidencën investigative, dokumentuese dhe goditëse ndaj formave të organizuara të shfaqjes së kriminalitetit; analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizimit strukturor e funksional të organizatës, për të gjitha mosrealizimet e pritshmërive në luftën kundër krimit të organizuar, në të gjithë format e shfaqjes së tij; analizë e thelluar në të gjitha nivelet e strukturave mbi paligjshmëritë, abuzimin me detyrën, veprimet korruptive, implikimin e punonjësve në veprimtari kriminale, dekonspirimet e operacioneve policore, evidentimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e masave profilaktike dhe ndëshkimore në këtë drejtim; rivlerësim i kontributeve dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, të aftë për të progresuar dhe kontribuar në rezultate konkrete; vlerësim real në lidhje me tendencën në rritje të krimit kibernetik, rishikimin e strategjisë sektoriale dhe ngritjen e strukturave në përshtatje me këto dukuri; vendosjen e inteligjencës kriminale në qendër të çdo veprimtarie policore, me synimin e vetëm, atë të dhënies prioritet hetimeve proaktive; lufta kundër krimit ekonomiko-financiar dhe pastrimit të parave;

Riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve monitoruese të territorit dhe policimit në komunitet ndaj fenomeneve të dukshme: Krijimi i rrethanave dhe qasjeve të reja në aspektin monitorues të territorit, nëpërmjet prezencës pa uniformë, me qëllim rritjen e evidentimit dhe produktivitetit dokumentues ndaj fenomeneve që cenojnë sigurinë në mjedis; reduktimin e ndjeshëm të kontakteve njerëzore, nëpërmjet uljes së prezencës së shërbimeve të shtuara të menaxhimit të trafikut urban e interurban, në të gjithë territorin e vendit, dixhitalizimin e këtij shërbimi, ofrimin e pajisjeve teknologjike për evidentimin e shkelësve dhe goditjen e paligjshmërive nga të gjithë përdoruesit e rrugës; përdorimi i teknologjisë për monitorim në zonat urbane dhe jourbane, që do t’i shërbejë jo vetëm informimit, por dhe dokumentimit të veprimtarive që konsiderohen në shkelje të dispozitave ligjore administrative dhe penale; krijimi i një koncepti të qartë strategjik dhe afatgjatë në lidhje me parandalimin e krimit, organizime strukturore dhe partneriteti, duke iu referuar rrethanave, faktorëve dhe kushteve të mjedisit tonë.4. Ndërtimi marrëdhënies me komunitetin, si partneri ynë kryesor në luftën kundër paligjshmërisë, në të gjitha format e shfaqjes së saj“.

Rrumbullaku vjen në këtë detyrë pas shkarkimit të Gledis Nanos me argumentin se nuk ka përmbushur detyrat.

Pas më shumë se 30 vite karrierë, në uniformat blu, Muhamet Rrumbullaku emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pas propozimit të ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi, kryeministri Rama firmosi emërimin e Rrumbullakut në krye të policisë. Për shkak të pozicionit të punës ai tani do të mbajë gradën “Drejtues Madhor”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjidhja e vetme për…