Sindikata e Sektorit Privat kërkon heqjen e kushtëzimit për marrjen e 50 eurove

08 shtator 2022 | 15:44

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta largojë kushtëzimin për marrjen e 50 eurove në kuadër të Pakos për Inflacionin.

Azemi në një konferencë për medie ka theksuar se shumica e punëtorëve në këtë sektor nuk kanë mundësi t’i marrin këto mjete financiare. “Një kërkesë që është e pashmangshme është ajo se Qeveria e Kosovës duhet ta largojë kushtëzimin lidhur me kompanitë private, nëse ato japin 50 euro, edhe unë do t’i jap 50 euro”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, nëse nuk largohet ky kushtëzim, atëherë kryeministri Albin Kurti le t’i marrë këto mjete dhe t’i alokojë diku tjetër.

“Nëse nuk largohet ky kushtëzim, atëherë i themi kryeministrit merri këto mjete financiare e alokoi kudo qoftë, sepse nga kaluara dhe e sotmja çdo pronar nuk bëhet pjesë, pasi pjesa më e madhe nuk e ka këtë fuqi dhe shpresoj të mos jetë një mashtrim i radhës”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka bërë me dije se duke filluar nga ky muaj për zyrtarët publikë do ta ndajnë shtesën prej 50 eurosh, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do ta ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh.

Ai ka njoftuar se për pensionistët do ta ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh (në tetor), ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesin duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kurti, duke përmendur punëtorët privatë, ka thënë se 80 për qind janë të angazhuar në këtë sektor, e që është prekur më së shumti nga inflacioni. “Do ta mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, kishte bërë me dije Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat e hoteleve…