Kurti pas takimit me emisarët: Kosova e angazhuar për dialog me njohje reciproke

09 shtator 2022 | 13:42

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Siç ka njoftuar zyra për informim e Kryeministrisë, në takim u theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Ai falënderoi Lajçakun, si dhe këshilltarët Plotner dhe Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor .

Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, drejtuar Kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para fillimit të vizitës zyrtare,…