Rrëfimet filozofike të Flodian Malokut

09 shtator 2022 | 14:59

Letërsia dhe filozofia ndërveprojnë mrekullisht me njëra-tjetrën. Gjuha e bukur dhe mendimi i pjekur japin dhe marrin natyrshëm, duke na dhënë një vepër të arrirë dhe të mirëfilltë letrare dhe mendimtare. I tillë është romani Anomalitë e shpirtit i Flodian Malokut, një shkrimtari me formim kulturor dhe shkollim në fushën e filozofisë.

Këtë vepër të Malokut e lexova në dorëshkrim dhe më rrëmbeu me thellësinë e mendimit dhe këndvë­shtrimit të gjërave dhe nuk mund të rrija pa i thënë dy fjalë për të. Është një vepër që e pasuron prozën e sotme shqipe, duke i dhënë asaj një roman tipik filozofik, një roman jo me ngjyresa e dimensione filozofike, por një roman kryekëput filozofik. Është një shprehje krejtësisht ndryshe dhe një shenjë e re në letërsinë e tashme shqipe. Andaj, këtu është veçantia më e madhe e këtij romani të Flodian Malokut.

Anomalitë e shpirtit përbëhet nga tetë rrëfime të fuqi­shme që mund të lexohen veç e veç, por që i ndërlidh ideja themeltare, që është dehumanizimi i qenies, ano­malitë e saj përballë vetes dhe të tjerëve. Pikësynimi i prozës së Malokut është zhbirimi  i njerëzores, kon­ceptit të jetës, dashurisë, vdekjes, mashtrimit dhe dehu­manizimit të qenies së sotme njerëzore në përgjithësi. Për ta parë se si dalin këto ide dhe pikëvështrime të autorit të këtij, ne do t’ua hedhim shkurtimisht një sy disa prej rrëfimeve dhe personazheve të këtij romani, në mënyrë që ta ilustrojmë interpretimin tonë për romanin Anomalitë e shpirtit.

Ojgeni i rrëfimit nistor të librit të Malokut është një nga protagonistët e tij më të veçantë e më domethënës. Ai është figura çelës e rrëfimit/pjesës së parë, që titu­llohet “A vritet shpirti në gijotinë”. Ojgeni është dësh­mitar i një krimi. Ai e sheh vrasjen dhe vjedhjen në një pikë karburantesh dhe ikën fill pas vrasësve, duke mos e lajmëruar askënd për atë që ka parë. Këtu vihet në diskutim filozofik përballja mes ndjesisë dhe racios, mendimit të arsyeshëm. Frika (ndjesia) është mbizotë­ruesja e çastit te thuajse shumica e njerëzve. Njerëzit në mënyrë të arsyeshme fillojnë të mendojnë vetëm pasi të kalojë çasti që ua shkakton frikën. Kështu ndodh edhe me Ojgenin, personazhin e këtij rrëfimi, të cilin pas një kohe e vret ndërgjegjja që nuk ka lajmëruar krimin. Pra, siç theksova më sipër, kemi një përballje në mes të frikës (ndjenjës) dhe ndërgjegjes (arsyes) te njeriu. Flodian Maloku shtron shumë pyetje e dilema rreth vdekjes, frikës njerëzore, ndjeshmërisë, empatisë ndaj tjetrit, ndëshkimit, përballjes me të vërtetën e shumë gjëra të tjera që mund ta shqetësojnë njeriun e sotëm. Duke e lexuar këtë rrëfim të Malokut, edhe lexuesi shndërrohet në bashkëpyetës, jo vetëm vrojti­mtar pasiv i të ndodhurave. Një gjë e tillë i jep vlerë të shtuar këtij romani filozofik.

Eduard Hollo është personazh tjetër mjaft i veçantë e mjaft domethënës i kësaj vepre të F. Malokut. Është protagonisti kryesor i rrëfimit/pjesës që mban titullin “Exit ex Nihilo (Dalje nga hiçi)”. Ai është një vrasës jo i rëndomtë. Ai e vret familjen për ta shpëtuar nga vuajtjet e përditshme. Pasi që mbetet pa punë e pa të ardhura, familja e tij varfërohet dhe vuan nga skamja. Ai i vret gruan dhe fëmijët e vet, duke qenë i bindur se po bënte një gjë të mirë, meqë po i shpëtonte nga hje­kinat e përditshme dhe gjendja e pështirë skamnore, në të cilën nuk mund t’i shihte e as t’i linte. Kështu që, ai zgjedh mënyrën më morbide për ta “shpëtuar” fami­ljen e vet. Këtë mënyrë shpëtimi ai e arsyeton edhe me formimin e tij dhe leximet religjioze, në të cilat gjënë bazë ngushëlluese dhe shfajësuese për krimin e bërë. Sipas këtyre leximeve, mësimeve dhe paradig­mave religjioze, dërgimi i shpirtrave te Zoti do t’i shpë­tonte trupat hekakeqe, të cilët vuanin në jetën tokësore. Ky rrëfim/pjesë e romanit të F. Malokut shtron pyetje e ngre dilema të qenësishme për raportin e njeriut me vdekjen, fajin, pafajësinë e pretenduar, pastaj raportin e njeriut me paqëndrueshmërinë e tij emocionale, me skamjen dhe me formimin e tij kulturor dhe religjioz. Këto dilema i trajton me një pedanteri dhe pjekuri medi­tative dhe filozofike, të dallueshme dhe të veçantë për prozën e sotme shqipe, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Qëllimshëm i përzgjodha këto personazhe dhe këto dy pjesë/rrëfime të romanit Anomalitë e shpirtit për ta dhënë një tablo më të qartë të mënyrës se si i artikulon gjërat autori Maloku, se si i zbërthen dhe i shoshitë  çështjet që i ngrit. Në fillim të secilës pjesë jepet një tablo rrëfimtare, jepet një ngjarje, një e ndodhur, e cila më pas stërhollohet dhe diskutohet përmes zhbirimit filozofik të krijuesit Flodian Maloku. Ai në fillim rrëfen, pastaj shpjegon, mendon, pyet dhe ngrit çështje.

Anomalitë e shpirtit është roman që gërsheton format e shkrimit. Në radhë të parë kemi një gërshetim të formës së shkrimit letrar dhe atij filozofik. Në radhë të dytë, edhe brenda formës letrare të shkrimit kemi gër­shetime të mënyrave dhe zhanreve të ndryshme të shkrimit. Kjo mënyrë e shkrimit quhet eklektikë, për­zierja e mënyrave shkrimore, që është tipar i prozës postmoderne, të cilën F. Maloku e pasuron në mënyrë më të mirë dhe në mënyrën më eruditive. Erudicioni, po ashtu, është element i një romani postmodern dhe autori Maloku e inkuadron brenda narracionit të tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Pra, eklektika dhe narracioni eruditiv janë tipare qenësore të romanit Anomalitë e shpirtit.

Më duhet të them se kjo vepër e Malokut do të lexohet dhe interpretohet edhe më shumë, dhe është mirë të ndodhë një gjë e tillë, meqë është një vepër e arrirë e artit të sotëm letrar shqiptar. Është një vepër e arrirë që do t’i flasë lexuesit me një gjuhë tjetërfare.

Adil OLLURI,

shkrimtar

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Llapit ka njoftuar se ka shkëputur kontratën me…