Abetarja e përbashkët unike Kosovë – Shqipëri promovohet edhe në Tiranë

12 shtator 2022 | 17:39

Pas promovimit në Gjakovë, Abetarja e përbashkët unike Kosovë – Shqipëri dje është promovuar edhe në Tiranë.

Të pranishëm në këtë promovim ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci dhe ajo e Shqipërisë, Evis Kushi.

Kryeministri Rama ka thënë se Abetarja e përbashkët është një tekst i shumëpritur për nxënësit shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e më tej kudo ata ndodhen, që të mësojnë gjuhën amë, shqipen e mirë, të ëmbël e të dëlirë, siç i këndonin me plot pasion e të drejtë rilindësit shqiptarë.

Ministrja Nagavci ka thënë se kur flasim për Abetaren, natyrshëm na vijnë në mendje të gjithë ata atdhetarë e intelektualë që i vunë themelet e bënë rrugë të gjatë dhe plot sakrifica për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare që na bashkojnë.

“Kujtojmë edhe gjithë atë plejadë mësuesish që ngritën breza të tërë duke luftuar analfabetizmin dhe paditurinë për të ngritur kështu një komb të tërë drejt një shoqërie të emancipuar, të ditur e konkurruese me botën e zhvilluar. Tash të gjithë së bashku le ta bëjmë historinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës, arsimit dhe fuqizimin e kombit shqiptar. Shfrytëzimi i potencialit të dy vendeve tona na bën shumë më të fortë dhe shumë më të lehtë për arritjen e synimeve tona të përbashkëta për arsimim më cilësor”, ka thënë Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lufta e Rusisë në Ukrainë edhe më tej është duke…