Presidentja e Hungarisë: Do të bëjmë çmos që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave

13 shtator 2022 | 17:02

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën me nderime të larta shtetërore presidenten e Hungarisë, Katalin Novak. Osmani, pas takimit, në një konferencë të përbashkët për medie, ka theksuar se raportet e Kosovës me Hungarinë janë të ndërtuara mbi një bazament të fortë historik, të cilat Kosova është e përkushtuar t’i forcojë në përfitim të qytetarëve tanë.

“Prandaj ishte nder që bashkë me Prindonin ta mirëprisnim në Kosovë presidenten hungareze Katalin Novak së bashku me Zotërinë e Parë të Hungarisë, z. Veres Istvan Atta. Me presidenten hungareze, e cila po e viziton Kosovën në fillim të mandatit të saj, biseduam për nevojën e mbështetjes së ndërsjellë për kalimin e sfidave të përbashkëta si dhe avancimin e rrugës euroatlantike për vendin tonë. Ritheksova urgjencën që Bashkimi Evropian të vendosë pro liberalizimit të vizave për Kosovën përgjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, duke kërkuar kështu përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Hungarisë ka theksuar se do të bëjnë çmos që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që kemi mundësi që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar presidentja e Hungarisë, Katalin Novak.

Ajo ka thënë se vendi i saj do të luajë rol aktiv për të siguruar paqe dhe se objektivi i tyre është stabiliteti, “ashtu që të mos ketë më luftë në Evropë”. “Kanë kaluar 20 vjet prej përfundimit të luftërave në Ballkan, nuk është edhe shumë larg, ndërsa tani kemi luftën në Ukrainë dhe është tejet me rëndësi që kjo luftë ta shmangë Evropën”, është shprehur presidentja e Hungarisë.

Novak para vizitës në Prishtinë ka qëndruar në Bukuresht, Beograd dhe Zagreb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Superdueli mes Anthony Joshuas dhe Tyson Furyit do të zhvillohet…