Kurti: Në javën e ardhshme shënojmë 1 vit e gjysmë të qeverisjes sonë demokratike e progresiste

14 shtator 2022 | 11:50

Në mbledhjen e 96-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në javën e ardhshme shënojnë një vit e gjysmë të qeverisjes demokratike e progresiste.

“Kthesa që kemi marrë drejt zhvillimit të shoqërisë, nuk mund të jetë e qëndrueshme pa sundim të ligjit, siguri juridike e zbatim të të drejtave të njeriut. Pra, për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin, parashikueshmërinë juridike dhe barazinë”, ka theksuar Kurti.

Ai ka shtuar se Nlnë vetëm 1/3 e mandatit kanë kaluar mbi 150 projektligje.

“Ndërkaq, në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi. Nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm. Shifrat rekorde korrespodojnë me vullnetin e kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se përmes projektligjeve të miratuara kanë fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe të korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

“Gjithashtu, kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit përmes projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike e atij për Qeverinë. Për të siguruar efikasitet në trajtimin e kontesteve komerciale kemi themeluar Gjykatën Komerciale, kurse sot do të trajtojmë projektligjin për Prokurorinë Speciale e atë për Prokurorin e Shtetit”.

“Përveç vettingut si reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, të cilën ia kemi besuar përfaqësuesve të popullit, vazhdojmë me trajtimin e temës nga e cila varet stabiliteti e kohezioni social”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se spektri i konfliktit të dhunshëm, luftës e i gjenocidit, ende shtrihet nëpër Evropë, duke bërë kështu iluzor zbatimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“Funksionimi joadekuat i institucioneve përgjegjëse apo mungesa e tyre, shpie te pamundësia e rindërtimit të paqes. Historia na mëson që zgjidhjet afatgjate janë të paarritshme atëherë kur nuk bazohen në parimet e drejtësisë, reparacioneve, të vërtetës dhe të garantimit për mos përsëritje”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë një miqësore me Arabinë…