Hapet kampi veror ndërkombëtar 2022

19 shtator 2022 | 12:36

Në prani të nxënësve nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, dhe ligjërues nga e gjithë Evropa, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar 2022.

Edu Kamp 2022, organizohet nga shoqata gjermane Education Unlimited, e bashkëfinancuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës dhe ndihmuar nga gjimnazi Loyola.

“Ky kamp veror, për 83 të rinj nga 5 vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Ai theksoi se të gjithë besojnë se çdo njeri duhet t’i ketë të drejtat e njëjta, ndërsa kryeministri thotë se qeveria angazhohet me punë, që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kenë edhe mundësitë e njëjta.

Kryeministri potencoi se për këtë synim Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin për arsim për 12%.

“Ka bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Ka ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbyllje të hendekut gjinor, janë ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare”.

“Janë ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit; tekste shkollore në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë; 150.000 euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 3.500.000 euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional. Për të mbyllur hendekun e shkathtësive, ka filluar pilotimi i arsimit dual në katër profile nga viti shkollor 2022/2023, për muratorë, floktarë, asistentë të hotelerisë dhe kuzhinier; Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 300 mësimdhënës”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se për herë të parë kanë filluar zbatimin e skemës për mësimdhënie të bazuar në hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore-hulumtuese edhe në mësimdhënie në arsimin e lartë.

Duke uruar për organizimin e këtij kampi veror dhe duke u dëshiruar mbarësi, kryeministri e përmbylli fjalimin duke theksuar se dashuria për dijen dhe shkencën, do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fisnik Osmani, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën…