Holanda ndryshon qëndrim, Kosova merr liberalizimin e vizave deri në fund të vitit?

19 shtator 2022 | 22:52

Qëndrimi i Holandës, një prej vendeve anëtare të BE-së që është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, ngadalë po ndryshon, thonë analistët e Institutit holandez Clingendael, të cilët mendojnë se Kosova mund të marrë liberalizimin e vizave deri në fund të vitit 2022.

Kosova është e vetmja nga gjashtë partnerët e BE-së nga Ballkani Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave, përkundër vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian katër vjet më parë, sepse Holanda dhe disa anëtare të tjera ishin kundër saj.

Në tekstin “Pozicioni holandez për procesin e liberalizimit të vizave të BE-së për Kosovën. Drita në fund të tunelit?”, kujtohet se Këshilli i BE-së, kur Komisioni Evropian propozoi në vitin 2018 që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, nuk u pajtua.

Dhe, megjithëse vendimi për këtë çështje merret me shumicë të cilësuar (votat e më shumë se 55 për qind të anëtarëve që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së), nuk erdhi deri te heqja e regjimit të vizave.

Ndër të tjera, delegacionet e Holandës, Francës dhe Gjermanisë shprehën shqetësimin për progresin e Kosovës, veçanërisht kur bëhej fjalë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Që atëherë, Kosova, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian i kanë kërkuar vazhdimisht Këshillit që t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Holanda në veçanti ka vazhduar të shprehë shqetësime.

Ky bllokim çoi në politizimin e procesit, sipas analistëve të institutit holandez.

Clingendael këshillon Kosovën që të vazhdojë reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të vazhdojë të zbatojë dhe raportojë për kriteret kryesore për liberalizimin e vizave.

Më tej thuhet se Kosova duhet të vazhdojë të përdorë kanalet diplomatike në Prishtinë, Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së për t’i informuar rregullisht për progresin e reformave.

Gjithashtu, edhe pse dialogu me Serbinë nuk është kërkesë formale për liberalizimin e vizave, në praktikë shumë anëtarë e shohin përparimin dhe ngecjet në dialog si proces paralel me atë të liberalizimit të vizave.

“Edhe pse këto procese duhet të jenë të ndara, liberalizimi i vizave dhe dialogu Beograd-Prishtinë janë të lidhura në një nivel më të gjerë dhe një kthim prapa në dialog mund të ndikojë negativisht në mjedisin politik që rrethon procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në analizën e institutit holandez.

Holanda këshillohet nga Clingendael që të vazhdojë të monitorojë në mënyrë kritike reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe kriteret për liberalizimin e vizave në Kosovë, si dhe qëndrueshmërinë e tyre në afat të gjatë.

Po ashtu thuhet se Holanda për të treguar se është e hapur ndaj çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, duhet të jetë më aktive në këtë çështje në nivel bilateral.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Wagner Group, një kompani ushtarake private ruse, po përpiqet të…