Portugalia nderon Ronaldon, ky është premtimi i pesë herë fituesit të ‘Topit të Artë’

21 shtator 2022 | 12:41

Cristiano Ronaldo është nderuar me një tjetër çmim të madh në kombëtaren e Portugalisë. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mori çmimin e golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave te kombëtarja e Portugalisë.

Në organizimin e bërë nga Federata Portugeze e Futbollit, Ronaldo shfaqi ambicien e tij për mos u ndalur pas Botërorit “Katar 2022”, dhe synimi i tij është të luajë Evropianin e vitit 2024.

“Shpresoj të jem pjesë e kombëtares edhe për disa vite. Ndihem ende i motivuar, ambicia ime është e lartë. Rruga ime te kombëtarja nuk ka përfunduar. Do të jem në Kupën e Botës dhe dua të jem përsëri në Evropian”, ka thënë Ronaldo, i cili me Portugalinë ka një rekord prej 117 golash në 189 paraqitje. Për çmimin e tij të fundit, atë të golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave të Portugalisë, u shfaq tepër i lumtur dhe deklaroi se nuk e kishte besuar kurrë se një ditë do të arrinte një rekord të tillë.

“Jam krenar që marr një çmim kaq të madh. Nuk e kam menduar kurrë se një ditë do ta arrija. Falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të rëndësishëm në karrierën time. Ka qenë një rrugë e gjatë, por dua të them se rruga ime nuk ka përfunduar ende”, ka shtuar Ronaldo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i…