Kurti për grevën: Mësimdhënësit duhet të kryejnë punën meritore për pagat që marrin

21 shtator 2022 | 12:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se është larg arritja e një marrëveshje me SBAShK-un për ndërprerjen e grevës.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se nuk ishte i kënaqur që është pyetur për grevën, duke shtuar se do të përsëris diçka që tashmë e ka thënë për këtë çështje.

Kurti ka bërë me dije se do të takohet me përfaqësues të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, ndërkohë që drejtoresha e këtij unioni pritet të vijë në Kosovë.

“Ky është samit digjital, nuk është sistem analog, dhe unë prita që do të ketë pyetje për këtë samit rajonal më të madhin që organizohet në Ballkanin Perëndimor e me të cilin duhet të jemi krenarë të gjithë, e jo vetëm Ministria e Ekonomisë. Sidoqoftë, unë sot për çështjen e grevës me sindikatat evropiane e kam një takim pasdite, ku do ta diskutojmë këtë çështje. Por e kam shpjeguar edhe më herët. Për ata që nuk më kanë dëgjuar po e përsëris se kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacionin, e jo si zëvendësim për Projektligjin për paga, i cili natyrisht që do të sillet në fund edhe në Kuvend për të dy leximet”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti e ka thjeshtësuar krejt “zgjidhjen” e ngërçit.

“Unë jam i bindur që zgjidhja më e mirë, më e drejtë, më e dobishme, është që edhe mësimdhënësit, edhe nxënësit të shkojnë në shkollë që të mësojnë. Dhe kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve, por edhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qeveria është duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka përsëritur vlerësimin si “shantazh” për kërkesat e SBASHK-ut.

“Duhet të gjejmë një zgjidhje sa më parë, mirëpo ne kemi bërë shumë hapa. Ajo çfarë nuk kemi parë është heqja dorë nga shantazhi se o kaq, o nuk shkojmë në punë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se punëtorët “duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”.

“Duhet të keni parasysh që për të mbajtur e mirëmbajtur drejtësinë në vend, të gjithë njerëzit që përfitojnë paga, duhet të kryejnë punën meritore për ato paga që i marrin”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo është nderuar me një tjetër çmim të madh…