![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/09/IMG_20220923_060148.jpg)
Të shtunën varroset veprimtari studentor i ’97-s në Mitrovicë, Ali Ahmeti
Valdete Idrizi, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport në komunën e Mitrovicës, ka bërë me dije se ceremonia e varrimit të veprimtarit studentor të ’97-s, Ali Ahmeti, do të organizohet më 24 shtator, ditën e shtunë, në orën 16:00 në varrezat e dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së në Shipol të Mitrovicës.
“Në nderim të tij dhe veprimtarisë së tij, në të njejtën ditë, në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, do të organizohen homazhe dhe mbledhje komemorative; 14:00 homazhe, 15:00 mbledhje komemorative dhe 16:00 ceremonia e varrimit”, ka njoftuar drejtoresha Idrizi.
Ai ishte për trajtim mjekësor në Gjermani, ku edhe ndërroi jetë.
Ali Ahmeti ishte edhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familjen Ahmeti e kanë ngushëlluar ish liderët studentor të demonstratës së 1 tetorit 1997, Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli dhe Driton Lajçi dhe përfaqësues të institucioneve komunale në Mitrovicë.