LDK-ja: Politika e jashtme pasive, shkelja e rregullave ligjore po bëhet normë në MPJD

23 shtator 2022 | 12:48

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka adresuar një sërë kritikash në drejtim të ekzekutivit në lidhje me shërbimin e jashtëm.

Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi – Sadiku, ka deklaruar në një konferencë për media se shkelja e rregullave ligjore është bërë normë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ndërsa akuzoi për pasivitet të njëjtën ministri karshi fushatës të Serbisë kundër Kosovës.

Mjekiqi – Sadiku fillimisht ka përmendur konkursin e hapur nga MPJD për 21 zyrtarë në misione diplomatike e të cilin konkurs e kishte shpallur të jashtëligjshëm, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Ajo ka thënë se me këtë konkurs është shkelur neni 38 i Ligjit për zyrtarë publikë që përcakton rregullimin brenda kategorive të njëjta dhe gjithashtu nenin 17 duke mos e publikuar këtë konkurs në sistemin informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Më tutje, Mjekiqi – Sadiku ka përmendur shuarjen e Drejtorisë së Përgjithshme në MPJD duke thënë se ky veprim cenon rëndë funksionimin e shërbimit të jashtëm.

“Shkelja e disa rregullave ligjore dhe anashkalimit të tjerave fatkeqësisht po bëhet normë në MPJD e kjo natyrisht që kjo nuk kalon pa pasoja. Rregullorja 01/2022 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës është në disharmoni me Ligjin për shërbimin e jashtëm, me këtë rregullore ministria ka shuar në formë arbitrare Drejtorinë e Përgjithshmen dhe të gjitha kompetencat e drejtorit të përgjithshëm i ka kaluar te sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie…. me shuarjen Drejtorisë së Përgjithshme, ministria ka cenuar rëndë funksionimin e shërbimit të jashtëm, kjo bashkë me faktin që disa ambasada mbesin pa ambasadorë dhe pa staf përkatës madje edhe një vit e gjysmë pas marrjes së mandatit të qeverisë aktuale tregon ‘seriozitetin’ të qeverisë karshi politikës së jashtme të Kosovës”, ka thënë ajo.

Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se veprimet e kundërligjshme të MPJD-së po i kushtojnë edhe buxhetit të shtetit pasi me vendim gjykate është dënuar me 13 mijë euro për mos dhënie të informacionit, ndërsa më 20 mijë euro të tjera pasi tërheqjes së një diplomati në Londër.

Mjekiqi – Sadiku ka thënë se pasiviteti i politikës së jashtme të Kosovës është duke i bërë favor Serbisë që sipas saj, është duke lobuar fuqishëm kundër subjektivitetit të vendit, sidomos në vendet afrikane kur Kosova ka vetëm një ambasadë pa ambasador.

“Sot kur institucionet e Qeverisë së Kosovës duhet të punonin pa ndalur për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, regresi në politikën e jashtme i bën favor Serbisë e cila ka riaktivizuar fushatën e saj të propagandës për çnjohje dhe mos anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pra, veprimet e paligjshme në shërbimin e jashtëm pengojnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Derisa Serbia lobon aktivisht, madje edhe në vendet afrikanë për çnjohje dhe mos anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare vendi ynë mbetet me një ambasadë të vetme në kontinentin afrikan e cila ambasadë është pa ambasador dhe pa një staf të mjaftueshëm”, ka thënë Mjekiqi – Sadiku.

Në lidhje me paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës se do të aplikojnë këtë vit për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Mjekiqi – Sadiku është shprehur se nuk kanë asnjë informatë në lidhje me këtë proces pasi do të mund të ndihmonin përmes partive si motra brenda Partisë Popullore Evropiane.

“Çfarë do të bëjë qeveria në këtë rast pasi ka thënë se ka plan të aplikojë për status kandidat për BE. Çfarë do të bëjë qeveria për të siguruar mbështetjen e vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën sepse normalisht ne si LDK do t’i gëzohemi shumë statusit të kandidatit e kjo do të ketë implikime edhe për marrëdhëniet me partitë si motra brenda Partive Popullore Evropiane por nuk kemi hapësirë absolutisht, asnjë informatë se si është bashkërenduar ky plan për aplikim për status të kandidatit siç nuk kemi informata edhe sa përket aplikimit që tashmë është bërë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”,  ka thënë nënkryetarja e LDK-së.

Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se Qeveria e Kosovës edhe pas një viti e gjysmë pas marrjes së mandatit nuk ka arritur të ketë një shërbim dhe politikë të jashtme e cila është konform nevojave të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, Gazmendi i ka…