PDK-ja për barazi dhe fuqizim të grave: Bashkë! 50/50

24 shtator 2022 | 12:02

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar sot vizionin dhe vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha nivelet e organizimit dhe vendimmarrjes.

Në shpalosjen e vizionit i cili do të përfaqësojë PDK-në në rrugëtimin përpara, Kryetari Krasniqi ka thënë se 50% me 50% është formula, misioni dhe qëllimi i PDK-së për të cilin nuk do të ndalen asnjëherë.

“Rrugëtimi jonë si PDK, nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë. 50% me 50% është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka bërë të ditur se qysh në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, ai do t’i propozoj ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.

Mes tjerash, ai ka konfirmuar se do ta bëjnë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit, të kenë ndarje të barabartë të pozitave udhëheqëse, 50/50, duke përfshirë pozitat e kryetarëve, nënkryetarëve dhe sekretarëve.

“Në zgjedhje lokale, aty ku kandidati për Kryetare ose Kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër. Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30 %, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar. Qeveria e udhëhequr nga PDK, në të ardhmen, do ta reflektojë barazinë e plotë gjinore. Kjo do të bëhet normë edhe për qeveritë lokale, ku tashmë kemi dhënë dëshmi e shembuj në disa komuna”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari Krasniqi është zotuar se PDK do të arrijë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50 % me 50 % deri në vitin 2025, por që nuk do të presin deri atëherë për të realizuar këtë objektiv.

“Nuk do të presim 3 vjet për ta realizuar këtë objektiv fisnik atëherë përnjëherë, por do të fillojmë që tani, me hapa që e ngrisin jo vetëm përqindjen e përfaqësimit si numër, por edhe cilësinë dhe meritokracinë. E përsëris, PDK duhet të jetë shtëpi e hapur për të gjitha gratë dhe vajzat që e duan një Kosovë më të mirë për vete, për familjet e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Në fund, lideri i PDK-së ka thënë se është tejkaluar koha kur partia është dashur që ta ketë një organizatë të ndarë të grave, për t’ju qasur votueseve gra. Sipas tij, sot, Gruaja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbetet në lëvozhgën e saj e segreguar, por duhet të zgjerohet organizimi i saj, potenciali i saj dhe rëndësia e saj, për t’u bërë jo vetëm pjesë e pandashme organike e partisë, por për të krijuar sinergjinë e nevojshme për përfaqësimin meritor dhe të barabartë të grave në udhëheqje dhe vendimmarrje.

“Ky nuk është vetëm vullneti im. Para së gjithash, është vullneti i grave brenda PDK-së. Është momenti për ta bërë kapërcimin që kërkohet tash e sa kohë. Dhe neve na takon që ta bëjmë të parët, për ta dhënë shembullin tonë të brendshëm nesër edhe në qeverisje, edhe në shoqëri”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mos anëtarësimi i Kosovës në OKB, është një problem politik…