Hoti e quan të vonuar dhe joadekuate pakon e Qeverisë kundër inflacionit

25 shtator 2022 | 12:53

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kritikon qeverinë për mungesën e dialogut social me SBAShK-un. Derisa thotë se kërkesat e sindikatave janë të arsyeshme për t’u përmbushur, bënë thirrje që sa më shpejtë të procedohet ligji i pagave.

Në një intervistë për KosovaPress, Hoti ndër të tjera flet edhe për pakon e re të qeverisë kundër inflacionit, për çka konsideron se është e vonuar dhe joadekuate.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se është krejtësisht e përballueshme për buxhetin e shtetit që të plotësojë kërkesën e SBAShK-ut, në vlerë prej 100 euro deri në ligjin e pagave.

“Mungesa e dialogut social tash e një kohë e ka sjellë këtë situatë…Besoj që kësaj radhë janë plotësisht të realizueshme për faktin që kërkesat e tyre nuk është shumë e madhe. Ajo që është më e rëndësishme që të hyrat buxhetore janë të mira, kryesisht për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së të hyrave buxhetore nga tatimet, kështu që është krejtësisht e përballueshme për buxhetin e shtetit që të plotësoj këtë kërkesë. Kërkesa e sindikatës e arsyeshme për faktin që është vonuar ligji i pagave, pa asnjë arsye deri më tash… krejt çfarë është dashur të bëjë kjo qeveri është të rishikoj eventualisht, të diskutojë me sindikatat përkatëse, me grupet e ndryshme të interesit dhe ta procedojë këtë ligj në kuvend”, vijoi ish-kryeministri.

Ndërsa lidhur me pakon e re kundër inflacionit, Hoti tha se është e vonuar. Sipas tij, masë adekuatë për t’u përballë me këto probleme do të ishte rritja proporcionale e pagave, pensioneve, asistencës sociale.

“E vonuar dhe joadekuate. I vonuar sepse nga muaji mars kemi kërkuar si opozitë që të ndërmerren masat e nevojshme prej se ka filluar të rritet inflacioni, në muajt e parë të verës atëherë në maj, veçanti ku inflacioni shkoj shumë lartë sikurse edhe ne vende e tjera, pra kjo pako është tepër e vonuar dhe është joadekuate. Masë adekuatë për t’u përballë me këto probleme do të ishte rritja proporcionale e pagave, pensioneve, asistencës sociale, subvencionet për bujqësi dhe fusha të tjera në përputhje me normën e inflacionit.. Ka katër pesë muaj që familjet në Kosovë iu kanë rënë të ardhurat reale në 30-40% për shkak të rritjes së çmimeve”, tha ai.

Ndërkaq sa i përket implementimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë për targat, respektivisht për reciprocitet, thotë se duhet të ruhet rendi dhe qetësia përmes institucioneve të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Spanjës me rezultat…