BE-ja konfirmon përkrahjen për Kosovën në proceset integruese

28 shtator 2022 | 12:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion nga Bashkimi Evropian, kryesuar nga Vassilis Maragos, shef i Njësisë për Kosovë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Konjufca ka vlerësuar marrëdhëniet e mira midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, teksa ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë legjislativit me fonde dhe projekte të ndryshme zhvillimore që nga paslufta.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë ndërtuar tashmë një traditë të mirë bashkëpunimi, si rezultat i të cilit janë shënuar shumë arritje në fushën e demokracisë sonë parlamentare”, ka theksuar Konjufca, duke shpalosur progresin e arritur, sfidat dhe prioritetet e legjislativit.

Shefi i Njësisë për Kosovë, Maragos, ka shprehur gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e mbështetjes së institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, në reformat e planifikuara që lidhen me integrimin në BE dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian u pajtuan për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në funksion të miratimit të ligjeve sa më cilësore dhe në pajtueshmëri të plotë me standardet e BE-së.

Pjesë e takimit të sotëm ishin edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek, Alessandro Bianciardi, Annemarie Douëes dhe Nicola Scaramuzzo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri britanik Tyson Fury, kampion bote në peshën e rëndë…