“Spoti vulgar e bizar i LV-së paralajmëron vetërrëzimin e qeverisë Kurti”

04 tetor 2022 | 08:15

Profesori dhe analisti politik Milazim Krasniqi ka reaguar në lidhje me videon e publikuar dje nga Lëvizja Vetëvendosje në të cilën flitej me akuza tejet të rënda për ish-liderët politikë dhe partitë politike në vend.

Krasniqi tha se spoti i LV-së paralajmëron vetërrëzimin e qeverisë Kurti, por edhe mohimin e dështimin e shtetit.

“Spoti vulgar e bizar i LV-së po paralajmëron zgjedhje të reja. Pse? Sepse qeveria Kurti është totalisht e dështuar: as nuk po di të ballafaqohet me krizat e brendshme ekonomike, energjetike, arsimore, shëndetësore e diplomatike, as nuk po ka guxim të ballafaqohet me sfidat që e presin çdo qeveri të Kosovës në procesin e dialogut të pambyllur me Serbinë”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se spoti vulgar e bizar, i bërë bashkë me goditjen e pabesë ndaj njëzet e pesë mijë mësuesve e arsimtarëve, është edhe prokovim për trazira. Ai tha se Vetëvendosja po planifikon trazirat eventuale t’i përdorë si gjethe fiku për ta mbuluar turpin e vetërrëzimit të qeverisë Kurti.

“Sa iu përket spoteve, një spot vërtet real do të mund të bëhej me veprimet e dhunshme të LV-së ndër vite. Në atë spot mund të paraqiten realisht zjarrvëniet në Kuvend, sulmet egërshane ndaj policisë së shtetit, praptimi i kamionëve me mallra, sulmet ndaj zyrtarëve shtetëtorë, djegia me molotov e veturave familjare e deri tek arsenali me armë, i zbuluar dikund afër Ngrohtores. Një spot i tillë do të ishte përkujtesë e mirë për votuesit e LV-së se kënd e kanë votuar, në stilin ‘për inati të resë më vdektë djali'”, shtoi ai.

Krasniqi tha se votuesit e LV-së kanë të drejtë të mos e ndërrojnë kurrë mendjen derisa të mërdhihen të gjitha, derisa të vuajnë për bukë, derisa Kosova të trajtohet në negociata si shtojcë e “botës serbe” dhe derisa shqiptari i fundit ta braktisë vendin.

“Madje ata votues fitues mund të kenë kohë të lirë të shohin reprizat e spoteve vulgare e bizare të LV-së derisa LV-ja, qeveria e ricikluar pas dezertimeve serike, t’i përcjellë triumfalisht dhe solemnisht në varreza”, shtoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me një muaj vonesë, për shkak të grevës në institucionet…