Dialogu me Serbinë: Kurti thotë se është optimist, zëvendësi i tij Besnik Bislimi të kundërtën

09 tetor 2022 | 18:55

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kanë marrë sot pjesë në sesionet e Seminarit të 102-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillon punimet në Prishtinë, ku ndër të tjera kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Por ajo që bie në sy nga deklarimet e tyre lidhur me këtë temë, është se dy krerët e shtetit kanë dhënë qëndrime të kundërt nga pritjet që kanë, shkruan Reporteri.net.

Ndërsa kryeministri Kurti ka shprehur optimizëm, krejt të kundërtën e ka pohuar zëvendësi i tij, Bislimi.

Kreu i qeverisë ka thënë se tani është më optimist sa i përket dialogut për marrëveshje me Serbinë, pasi është një qasje e re në agjendën e Brukselit.

“Jam optimist sa i përket dialogut në Bruksel sepse atje kemi krijuar qasjen e duhur dhe të drejtë, e kjo është kroniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe të bëhet dialog për dialog, por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re që nga 18 gushti i këtij viti, sepse tema e parë në zyren e z. Borell ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pra dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë marrëveshje”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri tutje ka thënë se e ka këtë optimizëm duke pasur parasysh faktin se për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim të Serbisë për zvarritje të procesit tani njohja e ndërsjellë është në qendër të marrëveshjes.

“Sepse nëse i thoni Serbisë se pavarësia do të vjen në fund ju e inkurajoni Serbinë për ta shtyrë fundin, por tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por është në qendër të marrëveshjes. Nuk po them se nuk do të ketë edhe pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë. Kjo qasje e re, pra me agjendën e re në Bruksel, ku synon të kemi një kornizë të përgjithshme për marrëveshje si tema numër një e bisedimeve më bën optimist për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka nënvizuar Kurti.

Por në sesionet e pasdites ku mori pjesë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ai tha se distanca mes Kosovës e Serbisë tani është më e largët.

“Dialogu me Serbinë nuk ka pasur objektiva të qarta”, tha ai, ndërsa shtoi se “distanca midis dy vendeve është me e largët se në vitin 2011”.

Kujtojmë se Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vazhdon punimet nesër, duke filluar në orën 9:15. ​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shortin e hedhur në Frankfurt të Gjermanisë për kualifikueset…