Osmani pranon ekzistencën e propozimit franko-gjerman: Ka për qëllim intensifikimin e dialogut

11 tetor 2022 | 16:07

Edhe pse me tre javë vonesë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar ekzistencën e kornizës së re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve për politikë të jashtme të presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz.

Osmani ka thënë se propozimi franko-gjerman ka për qëllim intensifikimin e procesit të dialogut.

“Çdo iniciativë e partnerëve tanë është serioze. Iniciativa është që të intensifikohet procesi i dialogut dhe natyrisht që si Franca, si Gjermania kanë qenë historikisht partnerë aleatë dhe mbështetës të Republikës së Kosovës”, është shprehur Osmani të martën para mediave, ndërsa ishte pjesë e një evenimenti të Ditës ndërkombëtare të fëmijës vajzë.

E para që e ka pranuar ekzistencën e një dokumenti katërfaqësh, ka qenë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Pas saj, ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili e kishte pranuar ekzistencën e propozimit, por është arsyetuar se s’mund të thotë gjithçka në publik meqë akoma “nuk është ngurtësuar” mjaftueshëm.

“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj, pas ngurtësimit vjen publikimi”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Turqi.…