Sot pritet të publikohet Raporti i Progresit për Kosovën

12 tetor 2022 | 08:36

Sot pritet të publikohet Raporti i Progresit për Kosovën, nga Komisioni Evropian. Në draftin e raportit të progresit për Kosovën, thuhet që çështja e liberalizimit të vizave është urgjente. Ndërkaq kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Për sa i përket luftimit të korrupsionit, thuhet se ka pasur përparim të lehtë.

Komisioni Evropian sot pritet të miratojë dhe publikojë  Raportin e Progresit. Në draftin e Raportit të Progresit për Kosovën, vendi veçohet për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë. Aty thuhet  se liberalizimi i vizave për Kosovën është çështje urgjente.  Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.  Për sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërkaq  përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Ndërkaq, Për sa i përket luftimit të korrupsionit në draft raport thuhet se ka pasur përparim të lehtë. Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomáš Szunyog, në një intervistë për Radio Kosovën  ka thënë se respektojnë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për t’i zbatuar reformat për sundim të ligjit.

“Raporti vjetor që publikohet nga Komisioni Evropian gjatë muajit tetor  përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë përfshin strategjinë për të gjitha vendet e rajonit, dhe pjesa e dytë përfshin specifikat  për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Për sa i përket çështjes së sundimit të ligjit, ne e respektojmë angazhimin e qeverisë për të zbatuar reformat për sundim të ligjit. Kemi parë shumë aktivitete për sa i përket miratimit të ligjeve  që lidhen me sundimin e ligjit si p.sh ajo për deklarimin e financimit të partive politike. Por është mjaft evidente që organet e sundimit të ligjit nuk janë ende të përsosura dhe duhen përmirësime. Ne do të punojmë me qeverinë e Kosovës që të vazhdojë në zbatimin e mëtejmë të reformave”, tha ai.

Komisioni, po ashtu, thekson se Kosova ka pasur stabilitet politik, por nuk e vlerëson pozitivisht punën e Kuvendit të Kosovës. Kjo, sipas tij, ndodh për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative, por edhe për shkak se, siç thuhet, deputetët e opozitës kanë abstenuar nga votimi, për të penguar miratimin e vendimeve. Situata në veriun e Kosovës, ndërkaq, vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti për sa i përket “korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më…