PSD-ja nis fushatën me programin ‘Bazë’

12 tetor 2022 | 14:25

Partia Socialdemokrate (PSD) ka nisur fushatën të cilës ia ka vendosur emrin ‘Bazë’.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se vendi ka nevojë për ndërhyrje radikale në të gjitha segmentet e shoqërisë për të luftuar pabarazinë, varfërinë në të gjitha format e saja si dhe për t’i ofruar qasje të mirëfilltë secilit qytetar të Kosovës në shëndetësi dhe arsim cilësor e gjithëpërfshirës.

Ai ka thënë se Kosova, për shumicën e qytetarëve të saj që kanë pak, është bërë vend jashtëzakonisht i vështirë për të jetuar.

“Shëndetësia publike është gërryer prej së brendshmi nga privatizimi i saj. Arsimi, prej atij të hershëm e deri tek ai universitar, është neglizhuar plotësisht nga çdo qeveri që se kishte atë në listen e tyre të prioriteteve. Në të njëjtën kohë, punëtorët e Kosovës janë të dorëzuar tërësisht në duart e pamëshirshme të tregut të punës; ata s’kanë siguri në vendin e punës e as mbështetje nga qeveria. E familjet me asistencë sociale detyrimisht marrin pjesë në ciklin vicioz të varfërisë deri në pafundësi në mënyrë që të ndihmohen nga institucionet e shtetit”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka shtuar se ky lloj organizimi duhet të përmbyset. “Baza është mënyra e rruga përpara. Ne besojmë që për çdo qytetarë të Republikës së Kosovës duhet të ekzistojë një kufi, një bazament, nën të cilin nuk duhet të bie, pavarësisht krizave ekonomike e vështirësive; çdo qytetar i Kosovës duhet të gëzojë të drejtën që të jetojë dinjitetshëm larg kufirit të varfërisë me një pagë bazike universale; të gëzojë të drejtën që në rast të humbjes së vendit të punës, shtatëzanisë e lindjes së fëmijut, në rast të sëmundjeve të papritura e pleqërisë, të jetë nën përkujdesin e shtetit e shoqërisë; të gëzojë të drejtën, qysh në vegjëli, që të ketë qasje në arsim të hershëm e shëndetësi cilësore publike e universale”, është shprehur Molliqaj.

Ai ka thënë se qytetarëve të Kosovës, të cilët mbushin mbi 60 për qind të buxhetit të Kosovës, duhet t’ju shpërndahet në mënyrë më të barabartë dhe të drejtë vlera të cilën e krijojnë me punën e tyre.

“Kjo gjë do të bëhet me tatime të reja, si ajo në dividentë dhe trashëgimi, si dhe reformim të tatimeve ekzistuese, si ajo në të ardhurat korporale e të ardhurat personale. Qytetari i Republikës së Kosovës nuk duhet të trajtohet më si subjekt juridik që regjistrohet në librin e amzës, e as si numër statistikor në tabela Excel-i. Qytetari i Republikës së Kosovës duhet të trajtohet dinjitetshëm në të gjitha rrethanat shtresëzuese të tij; qoftë ajo duke ia lehtësuar stresin financiar e psikologjik apo trajtimin më të barabartë në vendin e punës. Qytetarit të Kosovës i nevojitet një Bazë”, ka thënë Molliqaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka organizuar pritje për skuadrën…