Kryeministri Kurti thotë që s’e ka dëgjuar fjalimin e Edi Ramës që trazoi Këshillin e Evropës

12 tetor 2022 | 20:06

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot dha mbajti një fjalim 1-orësh para Këshillit të Evropës, ku i doli në mbrojtje ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Por fjalimin që trazoi Këshillin e Evropës nuk e ka dëgjuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në konferencën për media, në lidhje me Raportin e Progresit, u pyet edhe për fjalimin e Ramës.

Sidoqoftë, të njëjtin pretendoi se nuk e ka dëgjuar, pasi që gjatë gjithë ditës ka qenë në Pejë.

“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e kryeministrit Rama sepse nuk e kam dëgjuar, kam qenë në Pejë dhe tërë ditën nëpër takime të shumta, e në mbrëmje vonë përpiqem të “apdejtohem” për mëngjesin e hershëm”, deklaroi ai.

Kurti ka thënë se qëndrimin e tij për Gjykatën Speciale e ka shprehur në vitin 2015 dhe nuk ka një qëndrim të ri.

“Sa i përket Dhomave të Specializuara, brengën e shqetësimin dhe kritikën e kundërshtimin tim, e kam thënë qysh në pranverën dhe verën e vitit 2015, kur u patën përgatitur amandamentimet kushtetuese. Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se dhomat e specializuara s’mund të lavdërohen për transparencë.

“Mund të them që dhomat e specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, pra s’mund të lavdërohen për transparencë dhe kemi rastin që dy vjet kemi mbajtje në paraburgim pa gjykim. Faktorët ndërkombëtarë duhet të mobilizohen që krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, të ndiqen e fajtorët të gjykohen e dënohen”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se s’mund të flitet për luftën pa i adresuar krimet e luftës në Kosovë.

“Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi, të cilin NATO-ja e ka ndalur me intervenim. Nuk mund të flasësh për luftën pa i adresuar krimet në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, Rama sot kërkoi nga të gjithë anëtarët e Asamblesë, që ta paramendojnë presidentin e Ukrainës pas 10 vitesh, në situatën e njëjtë ku është Hashim Thaçi tash.

“Kjo dëmton bashkësinë ndërkombëtare. Besimi është thyer. Kur bota kthehet përmbys, e viktima bëhet kriminel, gjithçka është e mundur. Viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju, të gjithë ju. Është bashkësia ndërkombëtare.

Një lajm i rremë u shndërrua në një raport, e pastaj në një rezolutë. Si rrjedhojë e vendimit të kësaj Asambleje, bota u kthye përmbys, viktimat e luftës u kthyen në kriminel. Kërkimi për të vërtetën, u kthye në një gënjeshtër.

Një i ri luftëtar, u shndërrua në një udhëheqës të bande mafioze. Një udhëheqës i zgjedhur u kthye në një kriminel lufte”, tha Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova e humb ndeshjen e parë hendbollistike në kualifikimet për…