Ballkani, i gatshëm sërish t’i gëzojë shqiptarët

13 tetor 2022 | 08:53

Kampionët e Kosovës në futboll janë përgatitur maksimalisht t’ua dhurojnë tifozëve shqiptarë edhe një tjetër gëzim nga garat evropiane. Futbollistëve që drejtohen nga Ilir Daja suksese u ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Djelmoshat e FC ‘Ballkani’ nga Suhareka kanë shënuar sukses historik në garat evropiane të Ligës së Konferencës së UEFA-s. Sot pata kënaqësinë t’i pres në zyrën time, t’i përgëzoj për sukseset e deritashme dhe t’u uroj fitore në përballje me ekipin ‘Sivasspor’”, ka thënë Osmani.

Skuadra e Ballkanit sonte (e enjte) e zhvillon ndeshjen e katërt në Ligën e Konferencës. Kundërshtar e ka Sivassporin nga Turqia. Të përzgjedhurit e trajnerit Ilir Daja shënuan fitore ndaj ekipit turk para një jave dhe të njëjtën gjë po synojnë ta bëjnë edhe në këtë ndeshje dhe t’ua dhurojnë tifozëve shqiptarë edhe një gëzim nga garat evropiane.

Me fitore Ballkani do të ishte shumë afër kualifikimit historik në fazën tjetër.
Një ditë para ndeshjes, në konferencë për medie, trajneri Ilir Daja pret një ndeshje më të vështirë se ajo që u zhvillua një javë më parë në Turqi.

“Presim të jetë një ndeshje ende më e vështirë sesa në Turqi. Ata vijnë nga një fitore si vendas në kampionat. Ata kërkojnë revanshin ndaj nesh. Neve na bën më të fortë për shkak se Sivasspori dhe ekipet e tjera në grup kanë më shumë përvojë. Duhet të luajmë më fort në fushën tonë. Nëse nuk luajmë në grup, kualitetet e Sivassporit mund të na dëmtojnë në çdo moment”, ka thënë Daja, i cili ka konfirmuar se kapiteni Edvin Kuç do të mungojë edhe në këtë ndeshje.

“Kapiteni Kuç nuk do të jetë i gatshëm, ka disa ditë që ka filluar vrapimet, por nuk ka bërë stërvitje me grupin. Ai do të jetë në bankinë, edhe pse nuk do të luajë 99 %. Rikthimi i Astrit Thaqit është një bonus për ne, por e kemi të dëmtuar edhe Veton Tushën”.

Në konferencë për medie, krahas trajnerit Daja, ishte edhe mesfushori Qëndrim Zyba. Ky i fundit është optimist se skuadra e Ballkanit do t’i gëzojë të gjithë sportdashësit në Kosovë. “Na pret një ndeshje mjaft e vështirë, kundërshtari ka kualitet. Do të jemi maksimalisht të përqendruar që t’i gëzojmë të gjithë sportdashësit kosovarë dhe shqiptarë, por e dimë që na pret një ndeshje mjaft e vështirë. Trajneri na shton besimin kur na jep detyra që t’i sulmojmë skuadrat. Kemi më shumë freski në ndeshje, na ndihmon shumë trajneri në vetëbesim dhe çdo gjë tjetër”, ka thënë Zyba. “Do të kemi përkrahje të madhe nga të gjithë. Një gjë e tillë na motivon më shumë. Do të qëndrojmë me këmbë në tokë. Shpresoj t’i gëzojmë tifozët tanë. Unë shpresoj që të na nënvlerësojnë edhe në vazhdim, sepse një gjë e tillë është në të mirën tonë. Besoj se Sivasspori i ka marrë masat e duhura për takimin e nesërm pas fitores sonë në Turqi”, ka përfunduar Zyba. FC Ballkani ka njoftuar të mërkurën se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen kundër Sivassporit. Kampioni i Kosovës momentalisht kryeson Grupin G, ndërkaq kanë mbetur gjithsej edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar. Në ndeshjen e fundit kundër Sivassporit, Ballkani ka shënuar fitore me rezultat 3:4.

Presidentja Osmani i motivon futbollistët e Ballkanit para ndeshjes me Sivassporin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka organizuar pritje për skuadrën kampione të Kosovës në futboll, FC Ballkani. E para e vendit i ka uruar kampionët e Kosovës për suksesin e arritur në Ligën e Konferencës dhe me këtë rast u ka uruar suksese edhe në ndeshjen e radhës kundër Sivassporit, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Djelmoshat e FC ‘Ballkani’ nga Suhareka kanë shënuar sukses historik në garat evropiane të Ligës së Konferencës së UEFA-s. Sot pata kënaqësinë t’i pres në zyrën time, t’i përgëzoj për sukseset e deritashme dhe t’u uroj fitore në përballje me ekipin Sivasspor”, ka thënë Osmani.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e njohur iraniane Elnaaz Norouzi hoqi hixhabin dhe është…