Tahiri: Në Kosovë nuk ka progres në fushat kyçe të vlerësimit për integrim evropian

14 tetor 2022 | 13:11

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, me ç’rast, anëtari i kryesisë, Xhafer Tahiri ka folur për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2022, duke thënë se ky raport e konfirmon që në Kosovë nuk ka pasur progres.

“Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2022, e konfirmon atë që e kemi thënë, se në Kosovë nuk ka progres në fushat kyçe të vlerësimit për procesin integrimit evropian të Kosovës; pra nuk ka zhvillim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, shëndetësisë, në drejtësi e në siguri”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se në asnjë fushë të vlerësimit për Kosovën, për fat të keq, Komisioni Evropian nuk konstaton se ka progres të mirë apo edhe progres shumë të mirë.

“Dështimi në shëndetësi: Raporti konfirmon situatën e rëndë e të padurueshme për qytetarët në sektorin e shëndetësisë. Raporti konstaton, natyrisht në formë kritike se buxheti i shëndetësisë për vitin 2022 u zvogëlua me 14.6%. Dështimi në reformën legjislative – Raporti konfirmon dështimin në reformën legjislative sepse Qeveria edhe pse e ka shumicën në Kuvend, ajo dështon për të bërë kuorum. Pra puna e Kuvendit të Kosovës po ndikohet nga një atmosferë politike e polarizuar dhe e përçarjes e shkaktuar nga vet shumica”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka shtuar se Raporti i Komisionit Evropian edhe një herë rikonfirmoi qasjen pozitive të LDK-së, ku cekë se opozita ka mbështetur legjislacionin kyç lidhur me integrimet evropiane duke i mbështetur me votë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.

“Në fusha tepër të rëndësishme si drejtësia, lufta kundër krimit e korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria me tregun evropian, raporti i Komisionit Evropian nuk konstaton progres, por vlerëson se Kosova është në fazë të hershme të arritjes. 32 herë raporti thotë se në sektorë të ndryshëm Kosova është në ‘fazë të hershme’. Në vitin 2021, këtë e ka thënë 36 herë, kurse në 2020, 30 herë. Pra në përgjithësi, më shumë herë thuhet se situata është në ‘fazë të hershme’ tani se para dy viteve. Raporti i Komisionit Evropian vërteton faktin që të gjithë po e përjetojmë, ndaj dhe shpejtësia e ndryshimit për të cilin ka nevojë vendi dhe që qytetarët e kërkojnë, nuk është e duhura. Vendi ynë meriton ndryshim më të shpejtë, ndërsa qytetarët tanë meritojnë më mirë se kjo qeverisje. Në Raportin Progresit të vitit 2022 të Komisionit Evropian, 26 herë përsëritet fjala: ‘nuk ka progres’”, ka thënë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Bajrami, aktori i njohur humoristik ka paralajmëruar rikthimin e…