Kurti: S’jam i sigurt nëse kemi edhe dy vjet kohë për marrëveshjen me Serbinë

15 tetor 2022 | 16:06

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka mbetur edhe shumë kohë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, në një intervistë për “Conflict Zone” të Deutsche Welle, tha se nuk është i sigurt nëse të dyja vendet kanë kohë që ta arrijnë marrëveshjen deri në vitin 2024, ashtu siç deklaroi emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

“Jam dakord që nuk kemi shumë kohë dhe jetojmë në kohë jo vetëm të rrezikshme, por edhe të paparashikueshme. Prandaj, nuk jam i sigurt nëse kemi edhe dy vjet kohë. Duhet ta bëjmë sa më shpejt atë. Dhe për këtë jam gati të angazhohem në mënyrë kreative dhe konstruktive në bisedimet në Bruksel sa herë që ata të na ftojnë”, tha shefi i qeverisë kosovare, njofton Klankosova.tv.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dy ditë më herët deklaroi për Klan Kosovën se ‘dritarja e mundësive’ për arritjen e marrëveshjes është deri në vitin 2024.

“Kemi aleancë unike BE-ShBA që fuqishëm përkrahet nga Mbretëria e Bashkuar, të gjithë të fokusuar duan që dialogu të prodhojë normalizimin, sepse kur të kemi zgjedhje evropiane, amerikane, prioritetet janë diku tjetër, s’do të thosha që viti i ardhshëm është vendimtar, por ne e kemi këtë dritare të mundësive deri më 2024, ku do të mbahen zgjedhjet që i përmenda, është përgjegjësi e jona që mos ta lëshojmë këtë mundësi”, kishte deklaruar Lajçak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se të shtunën…