Kurti bën nderime tek varri i dëshmorit Ismet Rrahmani

15 tetor 2022 | 16:13

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë sot nderime tek varri i dëshmorit Ismet Rrahmani nga Açareva e Skënderajt.

Kurti u prit edhe nga familja Rrahmani, teksa zgjodhi fjalët më të mira për Ismetin që ra dëshmor në moshën 36-vjeçare.

Postimi i plotë i Kurtit në “Facebook”:

Në prag të përvjetorit të çlirimit të Kosovës, më 11 qershor, Ismet Rrahmani nga Açareva e Skënderajt, do t’i mbushte 60 vjet. Ai ra dëshmor te “Zabeli i Mustafës” afër lumit të Klinës, më 27 gusht 1998. Sot bëra nderime te varri i tij, para se ta vizitoj familjen e tij dhe kullën e ndërtuar afër vendit ku është vrarë Ismeti, bashkëluftëtar i dëshmorit Bekim Berisha – Abeja. Në oborrin e kullës ishin mbjellur 36 pisha, aq vjet sa kishte Ismeti kur ra dëshmor, ndërkaq kulla ishte ngritur pranë një lisi 700 vjeçar.

Në shtëpi na priti nëna e dëshmorit, Nëna Cyme, 84 vjeçare. Ismeti kishte qenë arsimtar në shkollën “Rilindja” të Açarevës dhe në shkollën “Kuvendi i Drenicës” në Abri të Ulët. Edhe Nëna Cyme ka qenë dikur mësuese në Ujmir e në Dush të Klinës.

Ismet Rrahmani (11.6.1962 – 27.8.1998) ishte burgosur e torturuar nga Serbia në vjeshtën e vitit 1996, para se të bëhej luftëtar i lirisë. Krahas Ismetit, edhe katër djemtë e tjerë të Nënës Cyme, Sabiti, Ramoshi, Haliti dhe Dastani, i ishin bashkuar luftës çlirimtare. Nuk ka pasur shtëpi në Açarevë që s’e ka pasur së paku një ushtar të UÇK-së. Nga ky fshat vijnë dy gjeneralët Rexhep e Sylejman Selimi.

Vëllau i vogël i dëshmorit, Dastani, me mall e krenari, na e shpjegonte secilën foto në muret e kullës dhe secilën gjurmë predhe në muret e shtëpisë.

Vëllau i madh i dëshmorit, Ramoshi, me gruan e tij, Veziren, dhe djalin e tij Arbonin, po e punonin tokën: 20 hektarë (shumica të marra me qira) i mbjellin me grurë e misër, 40 ari me lakër; dhe, i kanë edhe 20 koshere me bletë dhe 20 krerë lopë.

Familje luftëtarësh të paepur në luftë dhe e punëtorëve të palodhshëm në paqe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka mbetur edhe shumë…