Kusari-Lila komenton kritikat e Haki Abazit, ia jep edhe një sugjerim

18 tetor 2022 | 13:23

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk ka agjendë personale ndaj asnjërit prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Haki Abazi, shefja e deputetëve të LV-së, ka thënë se grupi i tyre parlamentar është shembull i demokracisë së brendshme.

“Jo vetëm që ka demokraci, por me siguri grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, jo vetëm në këtë legjislaturë, por edhe të kaluarën është shembull për mënyrën si debatohet dhe si zhvillohet demokracia e brendshme. Arsyeja dhe fakti që shumë lajme dalin nga grupi ynë parlamentar, natyrisht jemi edhe grupi më i madh, ku deputetët shprehin lirshëm mendimin e vetë, tregon këtë funksionim apo nivel të demokracisë. Pra edhe pse janë pjesë e një grupi parlamentar, deputetët shprehin mendimet e tyre që jo gjithmonë janë në përputhje me politikën e përgjithshme të subjektit politik apo grupit parlamentar”.

“Sa i përket akuzave individuale të deputetëve të caktuar, ekziston format dhe forum i mirëfilltë në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje. Çka do që lidhet me subjektin adresohet qoftë në grup parlamentar apo Këshill të Përgjithshëm. Kushdo para se të vendosë që ato t’i prezantojë para mediave, besoj se duhet konsumuar mekanizmat e brendshëm. Ky është një debat që do të duhej të zhvillohet në Këshillin e Përgjithshëm. Informatat që i kam unë, ai nuk është zhvilluar asnjëherë dhe nuk është iniciuar. Unë si kryesuese e grupit parlamentar të LV-së, jam propozuar nga kryetari i partisë, votuar nga deputetët me shumicë. Pastaj pozita është konfirmuar në Këshill të Përgjithshëm, është votuar prapë për pozitën time, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar unë kam kërkuar rikonfirmim të këtij pozicioni dhe mbi 70 për qind kam marrë miratim të deputetëve”, ka thënë Kusari-Lila për “Kosovapress”.

Ajo ka thënë se ka pasur dallime në mendime edhe me deputetë të tjerë të grupit parlamentar të LV-së, madje, sipas saj edhe më dramatike, por vazhdon komunikimin dhe bashkëpunimin në pika të tjera.

“Pyetja është për të, jo për mua. Krejt çka bëjë është në kuadër të agjendës dhe mënyrën si unë udhëheq grupin. Personalisht nuk zhvilloj agjenda ndaj askujt. Ajo është në koordinim të plotë me grupin parlamentar. Shihet se ne kemi pasur dallime në mendime me deputetët të tjerë shumë më dramatike, por vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin në pika të tjera. Politikat e Kuvendit dhe kësaj legjislature janë të natyrave të ndryshme. Gjëja e fundit ose që nuk prodhojnë asnjë efekt janë kur personalizohen çështjet. Në ato raste nuk pranoj as afër të hyj në debat, pasi këtu nuk jemi në kapacitetin personal, por jemi me mandat që na kanë dhënë votuesit”, ka thënë ajo.

Javë më parë, kolegu i Kusari-Lilës në grup parlamentar të LV-së, deputeti Haki Abazi, ka kërkuar dorëheqjen e saj nga pozita e shefes së deputetëve. Sipas tij, e njëjta po e minon demokracinë brenda grupit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arber Zeqiraj shpall të pavlefshme dëftesat dhe diplomën të lëshuara…