Osmani takon katër ambasadorë, temë liberalizimi i vizave

18 tetor 2022 | 16:36

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot, ajo takoi ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë.

Në takim me ambasadorët, presidentja Osmani falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian.

Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Sipas presidentes Osmani vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

Në të njëjtën linjë, Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, i…